Vajzat e reja përdoren për shpërndarjen e drogës, dëshmia e adoleshentes në polici
Dëshmia e një vajze 18 – vjeçare ka konfirmuar dyshimet e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës se, Elvis Gaçaj objektivi i atentatit të së enjtes në Tiranë, është një ndër shpërndarësit dhe furnizuesit kryesorë me drogë në kryeqytet.
Vajza e re është gjetur nga policia në banesën që kishte marrë me qera Kevin Rugova, një nga viktimat e atentatit.
Identiteti i saj nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor.
Ky apartament ishte vendi ku policia gjeti 5 gramë kokainë dhe një peshore.
18 – vjeçarja ka rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore se, ishte Gaçaj ai që e sillte drogën dhe ajo së bashku me Kevin Rugovën e paketonin, duke e bërë të gatshme për treg.
Ajo ka treguar edhe mënyrën si shpërndahej lënda narkotike.
Për këtë përdoreshin vajza të reja, të cilat shpërndanin kryesisht në zonën e ish -Bllokut dhe tek ish – Ekspozita Shqipëria Sot.
Policia ka nisur verifikimin e dëshmisë së 18 –vjeçares, në përpjekje për të zbuluar vajzat e tjera të përfshira në shpërndarjen e kokainës dhe marijuanës në Tiranë.
Edhe Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo, dy personat e arrestuar për vrasjen e Kevin Rugovës dhe Aurora Oskian dhe plagosjen e Elvis Gaçajt, pranuan përpara Prokurorit Eljo Mazreku se, konflikti kishte nisur nga pazaret e drogës.