Vakancat në Kushtetuese, Meta ripublikon letrën drejtuar Ruçit, këshillë deputetëve: Lexojeni me durim dhe kujdes
Presidenti i vendit Ilir Meta ka ripublikuar letrën drejtuar Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Meta u jep edhe një këshillë deputetëve që ta lexojnë me durim dhe kujdes letrën në fjalë.
“Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në respekt të Kushtetutës, e cila ndan përgjegjësitë dhe radhën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive nga secili institucion, po ju bëj publike letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për këtë çështje mjaft të rëndësishme.
Po kështu, është e domosdoshme që këtë letër ta lexojnë me durim dhe kujdes, të gjithë deputetët përpara se të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, shkruan Meta.
Letra sqaron në mënyrë shteruese arsyet pse KED dhe institucionet e tjera po zabtojnë gabim ligjet e reformës në drejtësi.
QENDRIMI I METES
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
E nderuar zonja Avokate e Popullit,
I nderuar zoti Dvorani,
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me shkresën nr. 552 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10722, datë 07.02.2018”.
Kjo praktikë dokumentare është administruar nga Institucioni i Presidentit me nr. 3534, datë 08.10.2019. Dokumentacioni i mësipërm i referohet vendit vakant të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi. Mandati kushtetues i këtij të fundit ka përfunduar në datën 25.04.2016 dhe sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, i përket për plotësim Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi praktikën e përcjellë nga Këshilli I Emërimeve në Drejtësi (KED), me dekretin nr. 11313, datë 15.10.2019, ka përzgjedhur dhe emëruar zotin Besnik Muçi, si gjyqtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese. Në datë 18.10.2019, ora 18:00, gjyqtari Besnik Muçi u betua përpara Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe, që prej atij çasti, gjyqtari i parë i Gjykatës Kushtetuese është në detyrë.
Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në po të njëjtën ditë, në datë 08.10.2019, nëpërmjet shkresës nr. 553 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës edhe “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019”.
Kjo praktikë dokumentare është administruar nga Institucioni i Presidentit me nr. 3535, datë 08.10.2019. Dokumentacioni i mësipërm i referohet plotësimit të vendit vakant të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj. Mandati i rregullt kushtetues i ish-gjyqtares Xhoxhaj përfundonte në datën 25.05.2019 dhe, sipas parashikimeve kushtetuese e ligjore, i përket për plotësim Presidentit të Republikës. Krijimi i kësaj vakance i është njoftuar Presidentit të Republikës nga Gjykata Kushtetuese me shkresë nr.79 prot., datë 25.02.2019 dhe është shpallur nga Presidenti për aplikim me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019.
Siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi. Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës.
Procedura administrative e ndjekur nga Kryetari i KED-së për dërgimin e listave, siç do të sqarohet edhe më hollësisht më poshtë, krijon kushtet e një vështirësie ligjore, për të mos thënë që në një vlerësim prima facie bën logjikisht të pamundur që brenda 30-ditëve, Presidenti i Republikës të respektojë parashikimet kushtetuese që diktojnë radhën dhe alternimin e përzgjedhjes për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, në cilësinë e organit të emërtesës.
Procesi i emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duhet të realizohet në respekt të plotë me procedurën dhe radhën që përcakton neni 179 pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenet 7 pika 2 dhe 86 pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Parashikimet kushtetuese dhe ligjore të mësipërme, saktësojnë në mënyrë shteruese, kompetencën, radhën kronologjike, alternancën dhe afatin kohor, brenda të cilit duhet të veprojë secili prej organeve të emërtesës, në rastet kur secilit prej tyre iu takon të emërojnë/zgjedhin më shumë se një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, në të njëjtën kohë.
Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Ndërkohë që, në po këtë nen, sa i takon kompetencës së Presidentit të Republikës përgjatë fazës tranzitore të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese në pikën 12 saktësohet:
“12….. . Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.”.
I gjendur para kësaj situate, me qëllim respektimin e urdhërimeve kushtetuese dhe ligjore, pas administrimit të të dy listave njëherazi nga KED-ja që i përkasin plotësimit (emërimit) të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për 2 (dy) vakanca të shpallura nga Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 3571 prot., datë 10.10.2019, Institucioni i Presidentit të Republikës iu drejtua Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me një kërkesë për informacion mbi faktin nëse ky organ (KED)-ja i ka përcjellë ose jo Kuvendit të Shqipërisë “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për vendin vakant, të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018”, si dhe “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi në datën 04.03.2019”.
Presidenti i Republikës vlerësoi se ky informacion paraprak ishte i domosdoshëm me qëllim:
Së pari, të fillonte sa më parë procesi i plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;
së dyti, ripërtëritja e Gjykatës Kushtetues me gjyqtarët e rinj, të ndjekë radhën kronologjike të diktuar nga Kushtetuta dhe ligji, ku Presidenti i Republikës të emëronte gjyqtarin e parë kushtetues, vetëm pasi Kuvendi të kishte administruar nga KED-ja listën përfundimtare me numrin e nevojshëm të kandidaturave (jo më pak se tre);
së treti, sepse respektimi i kësaj radhe kronologjike të plotësimit, do të shërbejë edhe si rregull bazë për përtëritjen e tyre në të ardhmen.
Përveç këtyre arsyeve, ka edhe një arsye tjetër, se përse ishte i domosdoshëm ky informacion.
Në të gjitha vakancat aktuale për të cilat KED-ja ka zhvilluar procedurën e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes, ka aplikantë, të cilët gjenden njëkohësisht në cilësinë e kandidatit qoftë në vakancat që i përkasin për plotësim Presidentit e qoftë në vakancat që plotësohen nga Kuvendi. Emërimi eventual i njërit aplikant në listën e Presidentit, afekton domosdoshmërisht edhe numrin e aplikantëve që gjenden në listën/at e Kuvendit.
Duke qenë se Kushtetuta parashikon që Kuvendi duhet të ketë në dispozicion apo administruar 3 (tre) kandidatura për të bërë përzgjedhjen e vet, Presidenti duhej të vihej në kushtet, që emërimi që ai duhet të bëjë, të mos cenojë hapësirën vlerësuese të Kuvendit, në përzgjedhjen e tij.
Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë.
Presidenti mban këtë qëndrim nisur nga parimi kushtetues i luajalitetit (bashkëpunimit) midis organeve shtetërore dhe nga gjetja e mundësive që Gjykata Kushtetuese të plotësohet sa më parë.
Në përgjigje të kërkesës për informacion, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 655 prot., datë 14.10.2019 informon Presidentin e Republikës se “Ditën e sotme me shkresën nr.653 prot., datë 14.10.2019 dhe me shkresën nr. 654 prot., datë 14.10.2019, ka përcjellë dhe ka dorëzuar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë:
Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 12.02.2018;
Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 04.03.2019.”
Rezultoi kështu se, KED-ja në datën 14.10.2019, (pra pas 6 ditëve nga dërgimi i listave pranë Institucionit të Presidentit) ka realizuar procesin administrativ të dërgimin të listave në Kuvend, për plotësimin e të dy vakancave njëherazi, që i përkasin Kuvendit për zgjedhje.
Nga informacioni i siguruar, rezulton se KED-ja në mbledhjen e datës 21.09.2019 ka miratuar me vendim listat përfundimtare, renditjen e kandidatëve dhe raportet e vlerësimit për renditjen e tyre për kandidatët e lejuar që konkurrojnë në të 4 (katër vakancat) e shpallura dhe që u përkasin për emërim/zgjedhje si organ emërtese Presidentit të Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë që paraqiten si më poshtë:
Vendimi nr. 128, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 129, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, me këtë renditje:
1.Arta Vorpsi 89.642
2.Elsa Toska 85.428
3.Besnik Muçi 81.928
4.Regleta Panajoti 80.285
Vendimi nr. 130, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 131, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018, me këtë renditje:
1.Arta Vorpsi 89.642
2.Elsa Toska 85.428
3.Besnik Muçi 81.928
Vendimi nr. 132, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 133, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019, me këtë renditje:
1.Arta Vorpsi 89.642
2.Fiona Papajorgji 88.785
3.Elsa Toska 85.428
4.Marsida Xhaferllari 82.000
Vendimi nr. 134, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 135, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 04.03.2018, me këtë renditje:
1.Arta Vorpsi 89.642
2.Fiona Papajorgji 88.785
3.Elsa Toska 85.428
Duke iu referuar edhe sistemit të numërtimit të vendimeve prej KED-së, si dhe renditjes së tyre në publikimin në faqen e Gjykatës së Lartë, rezulton se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shqyrtuar dhe ka marrë vendim për miratimin e listës përfundimtare të renditjes për çdo vakancë të shpallur nga organet e emërtesës, duke u përpjekur të respektojë radhën që duhet të ndiqet për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, të parashikuar në nenin 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Nga gjithë informacioni i administruar, rezulton se KED-ja renditjen e kandidatëve dhe krijimin e 4 listave, për të dy institucionet – President i Republikës dhe Kuvend – i ka bërë në mënyrë të njëkohshme, brenda të njëjtës datë 21.09.2019 ku, madje, dhe numërtimi i vendimeve është i alternuar sipas radhës së shpalljes dhe plotësimit të vakancave që i përkasin për plotësim Presidentit dhe Kuvendit.
Ndërkohë, në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit.
Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante.
Respektimi i radhës së përzgjedhjes së përshkruar më sipër diktohet dhe është e lidhur edhe nga një çast tjetër shumë i rëndësishëm procedural. Organet e emërtesës (President, Kuvend) e kanë vënë në lëvizje Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vakancave që u përkasin atyre për plotësim si organ emërtese, në momente kohore të ndryshme, sipas një radhe kronologjike, e cila duhej respektuar edhe nga KED-ja.
Kjo radhë kronologjike e investimit të KED-së, është e njëjta me radhën kronologjike që kërkon edhe ligji. Konkretisht:
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi (2016), shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin e datës 07.02.2018 dhe dërguar listat e kandidadëve pranë KED-së me shkresën nr.2668/2 prot, datë 28.02.2018.
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtarit Vladimir Kristo (2016), shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018 dhe dërguar listat e kandidatëve pranë KED-së me shkresën nr.1031/2 prot, datë 25.04.2018.
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj (2019), shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin e datës 04.03.2019 dhe dërguar listat e kandidatëve pranë KED-së me shkresën nr.930 prot, datë 27.03.2019.
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtarit Bashkim Dedja (2019), shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 04.03.2019 dhe dërguar listat e kandidatëve pranë KED-së me shkresë nr.1446 pro., datë 04.04.2019.
Në zbatim të nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, domosdoshmërisht, në fazën përfundimtare të miratimit dhe dërgimit të listave përfundimtare, duhet të respektonte kërkesat e mësipërme të Kushtetutës dhe ligjit.
Duke i miratuar dhe përcjellë listat tek secili organ emërtese sipas kësaj radhe dhe të diferencuara në kohë KED-ja do të shmangte situatën paradoksale procedurale të krijuar.
KED-ja me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues.
Nëse Presidenti i Republikës, do të ndjekë këtë logjikë siç ka vepruar administrativisht Kryetari i KED-së, kjo do të çonte domosdoshmërisht në shkelje të parashikimeve të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8577/2000, për sa i takon respektimit të radhës së emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues.
Duhet theksuar se këto parashikime kushtetuese dhe ligjore janë të rëndësishme, pasi lidhen me mekanizmin e përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese, i cili u reformua në vitin 2016 me anë të ndryshimeve kushtetuese, për shkak të dështimit në zbatim që pati formulimi fillestar i këtij mekanizmi.
Ndryshimet kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë në 21-22 korrik 2016, i kushtuan rëndësi të lartë mënyrës sesi do ripërtërihej përbërja e Gjykatës Kushtetuese. Në nenin 179 pika 2 të Kushtetutës, përcaktohet:
“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Pra, sipas kësaj dispozite të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë dy gjyqtarë njëherazi, apo dy gjyqtarë njeri pas tjetrit, por vetëm anëtarin e parë, ndërkohë që anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetues duhet të emërohet nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.
Ky rregullim ka qenë me shumë rëndësi për Kushtetutëbërësin, aq sa, në të njëjtën dispozitë të nenit 179, në pikën 12, paragrafi i fundit, e ka përsëritur sërish këtë rregull duke saktësuar:
“12. Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.”
Për sa më sipër, në kushtet aktuale të plotësimit të vakancave në përmbushje të përcaktimeve kushtetuese, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë gjyqtarin tjetër të Gjykatës Kushtetuese, së paku pa u shprehur më parë Kuvendi i Shqipërisë, për zgjedhjen e gjyqtarit të dytë.
Këto rregullime kushtetuese, kanë gjetur zbërthim në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ku pasqyrohet me hollësi sesi këto detyrime duhen përmbushur.
Në nenin 7 pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 përcaktohet:
“Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj. Anëtarët e rinj caktohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet edhe në rastet e përfundimit para afatit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.”
Më me hollësi ende, edhe për trajtimin e rastit konkret që lidhet me plotësimin e 4 (katër) vakancave aktuale, ky rregull është përforcuar edhe në nenin 86 pika 4, të ligjit nr.8577/2000, në të cilin parashikohet:
“4. Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë:
a) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2016, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
b) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2025.
c) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2019, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi. ç) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2028.
d) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë.
Referuar gjendjes aktuale të vakancave për plotësim në zbatim të neneve 125, 179, pikave 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe dispozitës së mësipërme të ligjit (neni 7 pika 2, 86 pika 4, germat “a” dhe “c”, për më shumë qartësi në tabelën e mëposhtme pasqyrohen qartë ish-gjyqtarët dhe koha e përfundimit të mandatit të tyre kushtetues, si dhe radha e shpalljes dhe emërimit të gjyqtarëve, përkatësisht nga Presidenti dhe Kuvendi i Shqipërisë.
ISH – GJYQTARËT, MANDATET E TË CILËVE PLOTËSOHEN
VITI I
PËRFUNDIMIT TË MANDATIT
ORGANI EMËRTESËS
QË I PËRKET EMËRIMI-ZGJEDHJA
KOHA E SHPALLJES SË VAKANCËS PËR APLIKIM KANDIDATI I EMËRUAR/ ZGJEDHUR
1.Sokol BERBERI 2016 PRESIDENTI 07.02.2018 Besnik MUÇI
2.Vladimir KRISTO 2016 KUVENDI 12.02.2018
3.Altina XHOXHAJ 2019 PRESIDENTI 04.03.2019
4.Bashkim DEDJA 2019 KUVENDI 04.03.2019
Siç u evidentua edhe më sipër, në përmbushje të parashikimeve kushtetuese dhe dispozitave të mësipërme të ligjit nr.8577/2000, Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë në datën 08.10.2019 nga KED-ja, me dekretin nr. 11313, datë 15.10.2019, ka përzgjedhur dhe emëruar zotin Besnik Muçi, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Ky emërim dhe dekreti i Presidentit të Republikës iu njoftua zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit, Këshillit të Larë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Siç dhe jeni në dijeni, në Institucionin e Presidentit të Republikës, në datën 18.10.2019, ora 18:00 në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, ambasadorëve, si dhe përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua ceremonia e betimit para Presidentit të Republikë, Sh.T.Z. Ilir Meta, të anëtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtarit Besnik Muçi.
Në këtë mënyrë Presidenti i Republikës, ka përmbushur pa asnjë vonesë detyrimin kushtetues, për zgjedhjen e ANËTARIT TË PARË, zotit Besnik Muçi, i cili aktualisht ka filluar ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë Presidenti, sipas parashikimeve kushtetuese dhe gjendjes së vakancave për plotësim, është në pritje të vendimmarrjes së Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjen minimalisht të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Pas këtij vendimi të Kuvendit, Presidenti i Republikës do të shprehet menjëherë për emërimin e anëtarit tjetër që do të plotësojë vakancën e krijuar nga përfundimi i mandatit të ish-gjyqtares, zonjës Altina Xhoxhaj.
Ushtrimi i kësaj të drejte kushtetuese të Presidentit të Republikës, është tentuar të cenohet hapur nga veprimtaria administrative e ndjekur nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili i ka dërguar listat për plotësimin e kësaj vakance në të njëjtën ditë, me vakancën e parë në datë 08.10.2019.
Duke e krahasuar me çastin se kur KED-ja ka dërguar të dy listat pranë Kuvendit (14.10.2019), ushtrimi i kësaj të drejte dhe kompetence nga Presidenti sipas radhës që dikton kushtetuta dhe ligji ndërlikohet, pasi Kuvendi ka në dispozicion 30 ditë kohë për t’u shprehur.
Kjo do të thotë që Kuvendi mund të zgjedhë të shprehet për zgjedhjen e anëtarit/ët e Gjykatës Kushtetuese brenda datës 13 nëntor 2019, çast ky që përkon me plotësimin e afatit 30-ditor që neni 125 pika 2 i Kushtetutës i përcakton si afat kushtetues, ndërkohë që kjo datë (13 nëntor 2019), del përtej datës 7 nëntor 2019, moment ky që Presidenti do të duhet të shprehej sipas propozimit të KED-së.
Referuar Kushtetutës ku është përcaktuar radha e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe ligjit nr.8577/2000, e drejta e secilit institucion për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit kushtetues brenda një afati 30-ditor, fillon efektin, vetëm pasi procedura për plotësimin e vakancës pararendëse të ketë përfunduar ose, së paku, të ketë filluar më parë në kohë.
Në dispozitat e mësipërme, jo vetëm që është përshkruar përkatësia institucionale për ndjekjen e procedurës së emërimit/zgjedhjes për secilën vakancë (President, Kuvend, Gjykatë e Lartë), por edhe në rastet kur, së paku, dy institucioneve iu rastis të procedojnë me plotësimin e vakancave përkatëse, të cilat përfundojnë në të njëjtin çast kohor (shih shkronjat “a”, “c” dhe “d” të pikës 4 të nenit 86) ligji ka saktësuar edhe radhën kronologjike përkatëse, sipas së cilës mund dhe duhet të veprojnë institucionet përkatëse.
Pra, Kushtetuta dhe ligji, kanë vënë theksin në dy nocione thelbësore përgjatë procesit të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese:
Përkatësia e emërtesës, duke individualizuar jo vetëm që secili prej institucioneve ka të drejtë të plotësojë nga 3 vende vakante, por duke individualizuar edhe vakancën konkrete që duhet të plotësojë sipas gjendjes faktike;
dhe radhën e plotësimit të tyre, duke saktësuar, rendin kronologjik të operimit prej secilit institucion. Rendi kronologjik i përgjithshëm, i përcaktuar në nenin 179/2 i Kushtetutës dhe në nenin 7 të ligjit, përshkruhet sipas kësaj radhe: President – Kuvend – Gjykatë e Lartë.
Nga ana tjetër, rendi kronologjik sipas shkronjave “a”, “c” të pikës 4 të nenit 86, të ligjit nr.8577, është qartësisht i detajuar për secilin rast, sipas radhës: President-Kuvend.
Ky rregull, i parashikuar në Kushtetutë dhe i përforcuar disa herë në ligjin nr.8577/2000 të Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për t’u respektuar jo vetëm nga ana e institucioneve përkatëse (President, Kuvend, Gjykatë e Lartë), por edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).
Kjo për shkakun e thjeshtë ligjor, se e drejta e secilit prej institucioneve për emërimin/zgjedhjen, duhet të shterohet vërtet brenda një afati 30-ditor, por nga ana tjetër, kjo e drejtë e secilit institucion, fillon dhe bëhet efektive, vetëm pasi procedura për plotësimin e vakancës pararendëse ka filluar më parë në kohë.
Duke qenë se rrjedhja e afatit 30-ditor për Presidentin e Republikës përcaktohet vetëm në nenin 7/b, pika 4 e ligjit nr.8577/2000 merr rëndësi respektimi i dispozitës kushtetuese mbi radhën kronologjike të emërimit që ka përcaktuar Kushtetuta, por që ka qartësuar në mënyrë shteruese edhe vetë ligji. Ky detyrim kushtetues dhe ligjor duhet të zbatohet jo vetëm nga organet e emërtesës, por dhe duhet të ndiqet në veprimet administrative të fundit të KED-së.
Për sa më sipër, me qëllim përtëritjen e rregullt dhe sipas parashikimeve kushtetuese, të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, nisur nga fakti që çdo organ emërtese në këtë rast (Presidenti, Kuvendi) ka në dispozicion 30 ditë kohë, për t`u shprehur në lidhje me emërimin/zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, ka analizuar shkresën nr.553 prot, datë 08.10.2019 të dërguar nga KED-ja, nën dritën e rregullimeve të Kodit të Procedurës Administrative (KPrA) dhe rregullave kushtetuese e ligjore të përshkruara më sipër.
Sipas nenit 3 pika 9 të KPrA-së, procesi që kryen Presidenti i Republikës pasi i është paraqitur shkresa përkatëse nga KED-ja, është një procedurë e mirëfilltë administrative. Kjo procedurë merr shkas nga çasti që formalisht paraqitet një praktikë dokumentare nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në vetvete, praktika dokumentare e paraqitur nga KED-ja, si veprimtari administrative fundore e saj, merr vlerën e një kërkese për të filluar këtë procedurë në kuptim të nenit 41 të KPrA-së.
Bazuar në nenin 44/2 të KPrA-së, Institucioni i Presidentit, ka shqyrtuar paraprakisht praktikën dokumentare të paraqitur nga ana e KED-së, duke marrë në analizë secilin prej elementeve të parashikuara nga kjo dispozitë apo nga ligje të tjera.
Sipas kësaj dispozite, si dhe nenit 66/1 po të KPrA-së, rezulton se e drejta e Presidentit të Republikës për të operuar me përzgjedhjen dhe emërimin e një kandidati për vakancën aktuale në shqyrtim, fillon dhe bëhet operative vetëm pasi një organ tjetër, në këtë rast Kuvendi, të shterojë çështjen që ai ka në kompetencë dhe aktualisht në shqyrtim; pra, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese që, sipas radhës, i takon ta zgjedhë ky organ.
Vetëm pasi të shterohet dhe të zgjidhet kjo çështje paraprake, (pra, emërimi i anëtarit të dytë nga Kuvendi) e cila sipas afatit kushtetues, duhet të përfundojë brenda datës 13 nëntor 2019, atëherë Presidentit të Republikës i lind detyrimi dhe mund të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti ka arritur në përfundimin se shqyrtimi në themel i propozimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të realizohet në këtë moment, pasi aktualisht sipas nenit 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës, si dhe neneve 7 pika 2 dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është radha e Kuvendit të Shqipërisë që duhet të shprehet për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë shkak, Presidenti i Republikës, bazuar edhe ne nenin 66 të KPrA-së, pezullon procedurën administrative, pasi është në pengesë kushtetuese dhe ligjore të veprojë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Kuvendit mbi çështjen e zgjedhjes së anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 125 pika 2 dhe 179 pika 2 të Kushtetutës, dhe nenit 86 pika 4 të ligjit nr.8577/2000.
Bazuar në këtë arsyetim, si dhe në situatën faktike të krijuar prej shkeljeve administrative të KED-së, Presidenti i Republikës fton me këtë rast Kuvendin, që brenda kalendarit të punimeve dhe programit të punës, të veprojë në një kohë sa më të shpejtë të mundshme me zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që Presidenti i Republikës të veprojë pas kësaj me emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës, për vakancën respektive.
Presidenti me këtë vendim paraprak, synon respektimin e normës kushtetuese të zbatimit të radhës në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullimin e një situate jo të zakonshme të krijuar nga veprimtaria administrative e dërgimit të listave të keqmenduar nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ky vendim për pezullimin e vijimit të procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe dokumentacionit të përcjellë nga KED-ja, deri në realizimin e zgjedhjes nga Kuvendi të anëtarit të dytë (datë 13 nëntor 2019), ka për qëllim ruajtjen e kushtetutshmërisë të emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate dhe evidenton qartë vullnetin e Presidentit të Republikës, se në cilësinë e organit të emërtesës, Presidenti do të shprehet për të emëruar anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese nga lista e kandidaturave të përcjella nga KED-ja.
Për më tepër, nga shqyrtimi paraprak i praktikës dokumentare të komunikuar administrativisht nga KED-ja, rezulton se bazuar në nenin 44/2 shkronja ”c” të KPrA-së, është e nevojshme kryerja e veprimeve të tjera administrative prej kësaj të fundit (KED), përpara shqyrtimit përfundimtar lidhur me këtë praktikë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka vendosur në dispozicion Presidentit të Republikës, vetëm aktet e formuara/krijuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për vlerësimin e disa rrethanave, Presidenti i Republikës, në zbatim të nenit 92/h të Kushtetutës dhe nenit 44/2 shkronja “c” e KPrA-së, kërkon nga KED-ja që të njihet me kopje të dokumentacionit të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e kësaj vakance.
KED në faqen 10, paragrafi i fundit i Raportit Përfundimtar të renditjes së kandidatëve ka shprehur gadishmërinë për vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumentacionit. Referuar edhe këtij fakti, këto të dhëna dhe ky informacion kërkohet të përcillet sa më parë, por jo më vonë se 5 ditë nga administrimi i kësaj shkrese me qëllim që Presidenti i Republikës të alternojë me Kuvendin e Shqipërisë respektimin e parashikimeve kushtetuese. Në rast se KED nuk do të përcjellë të dhënat e kërkuara Presidenti i Republikës do të procedojë me shqyrtimin e çështjes me informacionin që ka dispozicion.
Në lidhje me sa u parashtrua më sipër, Presidenti i Republikës, kërkon angazhimin e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi kjo çështje që është vlerësuar me kaq pak rëndësi po krijon shteg për pasoja të pariparueshme për organet e emërtesës dhe vetë procesin në tërësi.
Më duhet t’Ju sjell në vëmendje se për Presidentin e Republikës, emërimi/zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me kushtet dhe kriteret kushtetuese dhe ligjore, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme dhe e përsëritur ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Për këtë, në mënyrë të vazhdueshme, përfaqësuesi i Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Avokati i Popullit, kanë ngritur në mbledhjet e Këshillit jo vetëm këtë shqetësim, por edhe çështje të tjera që lidhen me transparencën e veprimtarisë së Këshillit, apo problematikës që kanë në disa aspekte aktet nënligjore mbi procesin e verifikimit dhe vlerësimit të miratuara prej Këshillit mbi disa kritere ligjore për lejimin dhe ndalimin e kandidatëve që konkurrojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Duke parë me shqetësim disa çështje të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Këshillit me shkresë nr. 2941/1 prot, datë 31.08.2019, Presidenti i Republikës, i ka kërkuar Këshillit ndër të tjera:
“.. të realizojë në një kohë sa më të shpejtë përmbushjen e detyrave funksionale për verifikimin, vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve, sipas kërkesave të Kushtetutës dhe ligjit, duke përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, listat me numrin e nevojshëm të kandidaturave të vlerësuara dhe renditura për secilën vakancë, për të bërë të mundur që organet e emërtesës të kenë mundësi të zgjedhin sa më shpejt dhe sipas radhës, anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kjo Gjykatë të jetë sa më shpejt funksionale për të marrë vendime dhe për t’u dhënë zgjidhje një sërë çështjeve që shqetësojnë të gjithë jetën shoqërore në vend. “
Edhe pse shqetësimi mbi mënyrën dhe kohën sesi do të paraqiteshin listat e kandidatëve nga Këshilli përkundrejt organeve të emërtesës, është shprehur më parë nga Presidenti, sërish Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk e ka respektuar këtë detyrim kushtetues.
Ndjekja e procesit nga Presidenti i Republikës sipas propozimit të KED-së, do të përbënte një shkelje të hapur të nenit 179 pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës, si dhe nenit 7 pika 2, 86 pika 4, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Është e papranueshme për Presidentin e Republikës, që të pranojë shkeljen e dispozitave kushtetuese, për shkak të veprimtarisë së gabuar administrative të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në përcjelljen e listave.
Kjo çështje nuk do të kishte lindur, nëse Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do t’u ishte përmbajtur parashikimeve kushtetuese, apo do të kishte vlerësuar efektet që sjell veprimtaria fundore administrative e KED-së përballë veprimtarisë dhe detyrimeve kushtetuese, që kanë organet e tjera të përfshira në këtë proces (President, Kuvend).
Sistemi i ri i emërimit/zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues ku tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë, të cilët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas kushtetutës dhe ligjit, i vendos institucionet që përfshihen në këtë proces përpara kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, i cili në thelb kërkon respektin e ndërsjellë nga secili institucion ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre.
Në rastin konkret, respektimi i këtij parimi kërkonte që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në procesin fundor administrativ të përcjelljes së listave në adresë të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë duhet të udhëhiqej, veç të tjerave, edhe nga objektivi për të siguruar që emërimi/zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm të siguronte një përbërje cilësore dhe mundësi për zgjedhje nga organet e emërtesës, por edhe që i gjithë ky proces të përmbyllej, duke ndjekur radhën e emërimit/zgjedhjes së gjyqtarëve në përputhje me përcaktimet e kushtetutës dhe të ligjit.
Presidenti i Republikës, gjen rastin të sjellë në vëmendje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Kuvendit të Shqipërisë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, ndër vite ka trajtuar me vendimmarrje çështje pikërisht të kësaj natyre, që lidhen me mënyrën sesi duhet të sillen e ndërveprojnë me njeri-tjetrin institucionet kushtetuese përgjatë procesit të emërimit/zgjedhjes së gjyqtarëve të nivelit më të lartë përfshi edhe gjyqtarët kushtetues.
Gjykata Kushtetuese, në vendimet e saj nr.2/2005; nr. 24/2011 dhe 41/2012, ka arsyetuar gjatë mbi parimin e luajalitetit (bashkëpunimit) kushtetues, parim ky që duhet të udhëheqë institucionet e përfshira kur sistemi i përzgjedhjes dhe emërimit të kandidaturave për këto pozicione të larta në sistemin gjyqësor përmbushen nga më shumë se një organ kushtetues.
Në pikën 22 të vendimit nr.24/2011 Gjykata Kushtetuese arsyeton: “Ky sistem emërimi, i pranuar nga Kushtetuta, i vendos subjektet që përfshihen në të para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues i cili, në thelb, shpreh respektin e ndërsjellë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre”.
Në një tjetër pikë të këtij vendimi Gjykata Kushtetuese, rithekson: “37.Në zbatim të parimit bazë të shtetit të së drejtës, atij të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, kushtetutëbërësi ka përcaktuar, për secilin nga organet që përfaqësojnë këto pushtete, kompetencat që përputhen/i përgjigjen qëllimit të tij. Për sa kohë këto kompetenca janë të përcaktuara nga normat kushtetuese, është e palejueshme që një organ tjetër t`i marrë ose t`i anashkalojë ato me vullnetin e tij. “
Me procedurën fundore administrative të dërgimit të listave që ka ndjekur Kryetari i KED-së duket hapur se ky organ ka cenuar parimin e luajalitetit kushtetues, pasi në veprimtarinë administrative të tij nuk ka treguar kujdes e bashkëpunim me Institucionin e Presidentit të Republikës në procedurat e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Duke anashkaluar dhe mosvlerësuar thellësisht faktin se çfarë efekti do të prodhonte veprimtaria e tij administrative në ushtrimin e kompetencave nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka vendosur organet në një vështirësi për të ushtruar kompetencat sipas rregullit kushtetues.
Pa një bashkëpunim midis organeve të përfshira në procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese (KED-President-KED-Kuvend), ky proces nuk mund të përmbyllet në përputhje me nenin 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës si dhe parimeve të hartuara nga jurisprudenca e vetë Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht për ta ruajtur kushtetutshmërinë e këtij procesi dhe me qëllim që të ketë mundësinë që të shprehet për emërimin e gjyqtarit kushtetues, Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 4, 92, 179, pikat 2, 12 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, 7/b, dhe 86 pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, neneve 66 dhe 44/2 shkronja “c” e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, ka vendosur paraprakisht:
– Të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED me shkresë nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019;
– t’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda 5 (pesë) ditëve të kopjes së dokumentaciont të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, me qëllim vijimin e shqyrtimit;
– të kërkojë bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Presidenti i Republikës, të ushtrojë kompetencën e tij, sipas radhës së diktuar nga Kushtetuta dhe ligji nr.8577/2000.
Presidenti i Republikës gjen rastin të shpreh edhe një herë vullnetin e Tij se ashtu si ka vepruar deri më tani do të vijojë të ofrojë mbështetjen dhe bashkëpunimin maksimal me secilin prej institucioneve në mënyrë që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të jetë sa më shpejt funksionale dhe të gjitha vendet vakant në këtë gjykatë të plotësohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me parashikimet e Kushtetutës dhe kërkesat e ligjit.
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Ilir META