Vaksinimi anti-Covid i popullatës, mjeku: Vetëm propagandë! Këtu nuk është sjellë akoma një frigorifer
Në një intervistë përmes Skype për Ora News, mjeku Petrit Vargu komentoi atë çfarë po bën Shqipëria për të siguruar vaksinën anti-Covid.
Sipas tij, qeveria deri tani ka bërë vetëm propagandë duke mos marrë asnjë masë konkrete, ndërsa lavdëroi punën e qeverive të Ballkanit.
Petrit Vargu: “Unë mendoj, deri tani është bërë më shumë propagandë se sa tentativë reale. Kush ka bërë tentativë reale, ka mbyllur gojën, ka sjellë 1 ose 2 vaksina në vendin e tij. Të gjithë politikanët e vendeve të Ballkanit kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Ne dalim vetëm fotografi. Bëjmë udhëtime gjoja për lobingje dhe çuditërisht, numri që kërkon Shqipëria është shumë i vogël në krahasim me shtetet e tjera, tek ne janë zero.
Në Europë vaksinimi mbaron në këtë vit që vjen. Nëse politika jonë e ka çuar vendin deri në atë derexhe sa të krahasohemi me vendet afrikane, ose vendet e prapambetura aziatike apo të Amerikës Latine, kjo është gjë për tu parë pastaj. Do të jetë një handikap i madh i politikës sonë, i pashlyeshëm.
Si vend i Europës unë mendoj se nuk mund të jemi në vendet e para, ku janë ato të BE, por fill pas tyre pasi siç thashë më parë, ne na ndihmon numri i vogël i popullsisë që kemi. Kështu që ne, fare mirë imunitetin e tufës e arrijmë me një sasi shumë të vogël vaksinash. Por çuditërisht ne kemi një terr të madh informativ. E vetmja gjë që dimë është një vend i çuditshëm ku do të bëhen vaksinat. Do të jetë stadiumi “Air Albania”, që kush e ka projektuar atë stadium vetëm për bërë vaksinën nuk e ka projektuar.
Ne duhet të tentojmë ti bëjmë presion sa më tepër qeverisë që të na pajisë sepse çdo ditë e vonuar është një ditë ku humben jetë. Ju e shihni vetë që është një kronikë e zezë lufta kundër Covid-it. Duhet të bëjmë masa konkrete, jo propagandë“
Sipas mjekut nëse qeveria “i jep qytetarëve të gjithë gamën e vaksinave, ka të drejtë ti kërkojë bërjen sa më shpejt të saj. Por këtu nuk është sjellë akoma një frigorifer e jo më të flasim për praktika superiore për të vaksinuar popullin”.