Vaksinimi në Shqipëri, 549 mjekë dhe infermierë kanë marrë dozën e parë

Procesi i vaksinimit ndaj Covid-19 vijon edhe në Shqipëri. Deri tani 549 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës me virusin vdekjeprurës kanë kryer dozën e parë të vaksinës anti-covid. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

”Jam e kënaqur që prof. Eqerem Hasani, prof. Mira Kola dhe mjekët e shërbimeve delikate të urgjencës dhe reanimacionit sapo kanë bërë vaksinën anti-covid në Qendrën e Vaksinimit në Stadiumin Air Albania dhe sot janë më të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm”,-tha Manastirliu.

Vaksinimi në Shqipëri nisi më 11 janar, ku të parët që po marrin këtë shërbim janë personeli shëndetësor, që do të pasohen nga të moshuarit apo grupet që konsiderohen më të rrezikuarat. Distanca mes dozës së parë dhe marrjes së dozës së dytë është 21 ditë. Deri tani, vaksinimi nuk ka shfaqur asnjë problematikë tek asnjë mjek dhe infermier që ka injektuar dozën e parë.

SHKARKO APP