Valentina Dafa, homazh me libër për aktoren, “Hajrie Rondo… gjithnjë i bukur kujtimi yt”  

Në 7-vjetorin e ndarjes nga jeta të aktores mirënjohur, Hajrie Rondo, Valentina Dafa vjen me një libër. Nuk mund të kishte një memuare më të bukur dhe më të plotë, më të ndjerë dhe më emocional, më përfaqësues dhe më rrëfyes, se sa ky libër, për aktoren e kaq e kaq përfaqësimeve të fuqishme në kinematografinë shqiptare dhe artin tonë skenik, për atë grua që solli role dhe personazhe, karaktere dhe tipizime, personalitete dhe identitete, me një vërtetësi dhe një shpirtje të thellë. Sepse ajo i veshi me lëkurën e saj dhe i dha frymë nga fryma e saj, Semihasë te filmi “Ne dhe lenini”, Frosa, te “Tifozët”, Fija te “Borxhliu”, Zenepja te “Dashuri në krisma”, Evanthia te filmi i vitit 1988, “Pesha e Kohës”, apo te gruaja e fortë e drejtimit të një supërndërmarrje te “Një vit i gjatë”. Për të hyrë më thellë dhe për të kujtuar rolin e saj emblematik, të Tanës, nga “Përrallë nga e kaluara” në sfidën me të mëdhenjt e filmit. Kudo ku ajo shpërfaqi talentin e saj, tregoi se kishte ardhur në artin skenik shqiptar për të lënë një gjurmë të pashlyer rolesh dhe vlerash, por edhe për të treguar shpirtin e butë dhe zemrën e mirë, vullnetin e vendosur dhe karakterin e paepur të një gruaje, të një sfiduese, e cila iku tragjikisht në moshën 66-vjeçare, kur ndoshta kishte ende për të dhënë, ende diçka për të thënë.

“Kujtesa ime ne kete pervjetor ikjeje per mjeshtren e skenes Hajrie Rondo, vjen me botimin e librit te jetes se saj, amanet te cilin ma la 1 muaj para lamtumires, shkruan Dafo në profilin e saj në Facebook.

“Si një almanak gjurmësh, ky libër vjen si shfrytëzim i gjithëfarë dokumentacioni që më ka rënë në dorë, të bisedave me artiste,  miq/mike që kanë ecur në një korsi e në të njëjtën periudhë me Hajrien, ku kam mbledhur grimca bisedash gjithkund për të ndërtuar këtë udhërrëfim.

Hajria vet kishte shumë kujdes në ruajtjen e koleksioneve të shtypit, të fotografive, audiove etje, madje pohoj se ishte fanatike për këtë, por jo gjithçka mund të ruhet nga individi për një karrierë të madhe siç kishte ajo.

Arkivat e heshtura pothuajse të shpërbëra të teatrove s`më dhanë mundësinë të plotësoja siç duhej këtë monografi, por edhe aty ku ishte mundësia isha e privuar për ta thithur këtë informacion për shumë arsye.

Në një libër gjithmonë mbeten gjëra pa u treguar, sado i gjerë të jetë spektri i prekur.

Ky libër është punuar me shumë përkushtim, për të çuar në vend amanetin e saj, duke ndërthurur në mënyrë harmonike aspektin dokumentar artistik e jetësor.

Mbeti sërish një peng, një punë e saponisur për të dritëzuar në kuadër trajektoren e udhëtimit të jetës së Hajries, nuk mundëm ta sillnim dokumentarin filmik në kendvështrimin e kineastit të mrekullueshëm Petrit Ruka, i cili u nda nga jeta pak kohë pas Hajries.

Pata privilegjin ta njoh nga afër dhe tashmë të plotësoj amanetin e saj me këtë udhëtim jete.

Falenderime dhe mirënjohje për miqtë/miket që kanë qenë burim informacioni, që më kanë dhënë kurajo, pavarësisht vështirësive të natyrave të ndryshme që më dilnin herë pas here, Petraq Kote, Fran Ukcama, Përparim Kabo, Ligoraq Riza, Timo Flloko, Baftjar Zeqaj, Petrit Ruka, Leka Bungo, Josif Papagjoni, Hasan Bregu, Pëllumb Kulla, Miola Sitaj, Hateme Ruzhdia, Astrit Hasani, Matilda Dushku, Sado Pepiaj, Shpëtim Shehu, Klajdo Marku, Elida Sopoti, Arben Alliaj,  Suzana Numani, Arsenina Bushi etje.

Falenderim për familjarët e Hajries, bashkëshortin Kiço Rondo, birin e saj Klitin, vajzën Klea, vëllain dhe motrat e saj që kanë ndihmuar duke më vënë në dispozicion materialet që dispononin dhe sado pak me informacione .

Falenderim në veçanti për motrën e saj, Zana, e cila ka qënë pranë meje hap pas hapi për të përmbushur amanetin e Hajries, për këtë udhërrëfim jete, përfundon postimi Valentina Dafo, e cila sqaron gjithashtu se nëntitulli “…gjithnjë i bukur kujtimi yt ” është marrë nga kujtimet e djalit, Klitit.

Përgatiti: Albert Vataj

SHKARKO APP