Vangjel Tavo përballë Petraq Gjikuria për Himarën, sondazhet japin fitore Tavos

Qytetarët e Himarës do t’u drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Bashkisë së Himarës. Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria. Votimi do të kryhet në 36 qendra votimi pjesë të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 88 në Bashkinë Himarë.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00. KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit që përfshijnë, fletët e votimit, dokumentacionin zgjedhor për përdorim nga Komisionet e Qendrave të Votimit, Pajisjet Elektronike të Identifikimit (PEI), kamerat monitoruese për qendrat e votimit dhe Kamerat regjistruese/monitoruese të VNV.

Zgjedhjet për Kryebashkiak të Himarës zhvillohen pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e mbajtura më 14 maj të 2023-it, ku Fredi Beleri, rezultoi fitues i procesit, por nuk arriti të ushtronte detyrën pasi dy ditë para zgjedhjeve u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Pavarësisht betejës ligjore, Beleri u dënua me dy vjet heqje lirie, duke humbur kështu mandatin, ndërsa sot rreth 23 mijë zgjedhës me të drejtë vote në Himarë do të zgjedhin një prej kandidatëve, Gjikurisë ose Tavos.

Himara prej vitit 2000 ka prodhuar vazhdimisht tensione dhe debate, veçanërisht mes Tiranës zyrtare dhe qarqeve të caktuara në Greqi, që e trajtojnë bashkinë e vogël në jug të vendit si një bashki minoritare.

Sondazhet tregojnë epërsi për Tavon sipas Eduart Zaloshnjës.

 

 

SHKARKO APP