Variantet e reja të Covid-19 kapen në Shqipëri? Simaku: Presim përgjigje nga Berlini
Shkurti nisi me një rritje të frikshme të shifrave nga Covid-19, duke e çuar në 24% pozitivitetin e mostrave të testuara nga 20 që ishte në janar. Ekspertët shprehen se rritja e rasteve pritej, ndërsa hidhen dyshime për qarkullim të disa varianteve Covid.
”Ishte e pritshme dhe për arsye të festave dhe si pasojë e kohës dhe stinës së ftohtë, megjithatë ka dhe shtim të transmetimit komunitar dhe kryesisht në moshat e reja, veç mos respektimit të masave nga popullata dhe bizneset në shkallë të gjerë kryesisht ka dyshime që mund të qarkullojnë variantet e reja të virusit”, shprehet specialisti i ISHP, Artan Simaku.
Disa kampione janë dërguar për testim gjenetik në Berlin, prej ku pritet të vijë dhe përgjigjia e detajuar mbi variantet në qarkullim. ”Për të verifikuar se çfarë lloje shtamesh po qarkullojnë. Përzgjidhen nga historia e udhëtimit, të individëve rastet që kanë patur riinfektim apo riaktivizim të virusit dhe mostra rastësore”. Ekspertët thonë se agresiviteti i virusit është njëlloj, ndërsa përhapja është më e madhe.