VATIKAN/ Papa Françesku: “Kreshma si kohë shërimi, në shpirt dhe trup”

Shëmbëlltyra ungjillore e djalit plangprishës, ose më mirë, kujtoi Papa Françesku, “e atit të mëshirshëm”, na zbulon zemrën e Zotit. Ai është Ati i mëshirshëm që, në Jezusin, na do jashtë çdo mase, pret të pendohemi, sa herë që gabojmë. E pret të kthehemi, kur largohemi prej Tij.
R.SH. / Vatikan
Në tekstin e lutjes mariane të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele, të 4-të të kohës liturgjike të Kreshmëve, duke reflektuar mbi pjesën e Ungjillit nga Luka (Lk 15, 1-3.11-32), Papa u kujton besimtarëve shëmbëlltyrën që Jezusi tregon për atë “baba që ka dy djem: njëri largohet nga shtëpia, por pastaj, pasi ka përfunduar në varfëri, kthehet dhe mirëpritet me gëzim; tjetri, djali “i bindur”, i indinjuar me të atin, nuk dëshiron të hyjë në festën e përgatitur për djalin që është kthyer përsëri në shtëpinë e atit”. Një histori që tregon dhe “zbulon zemrën e Zotit: gjithmonë i mëshirshëm ndaj të gjithëve; shëron plagët tona që të mund ta duam njëri-tjetrin si vëllezër”.
Zoti na do jashtë çdo mase e na pret me dhembshuri
Figura e atit të shëmbëlltyrës ungjillore – shkuran Papa – na zbulon zemrën e Zotit. Ai është Ati i mëshirshëm që, në Jezusin, na do jashtë çdo mase, pret të pendohemi, sa herë që gabojmë. E pret të kthehemi, kur largohemi prej Tij, duke menduar se mund të bëjmë edhe pa Të: Zoti është gjithnjë gati të na i hapë krahët, sido që të ndodhë:
Ashtu si ati, i shëmbëlltyrës së Ungjillit të kësaj së diele të 4-të të kohës liturgjike të Kreshmëve, edhe Zoti vijon të na konsiderojë bijtë e tij, kur humbasim, e vjen të na takojë me dashuri, kur rikthehemi tek Ai. Gabimet që bëjmë, edhe kur janë të mëdha, nuk e skërfisin besnikërinë e dashurisë së Tij. Në Sakramentin e Rrëfimit mund të rinisim gjithnjë nga e para; Ai na pret, na e rikthen dinjitetin e bijve të Tij e na thotë: ‘Ec përpara! Ji në paqe! Ngreju e ec përpara!’.
Papa Françesku e zhvendos vëmendjen pastaj në udhën drejt Pashkëve, i nxit besimtarët ta jetojnë “këtë Kreshmë, aq më tepër në vitin Jubilar të shpresës, si një kohë shërimi”, dhe flet në vetën e parë.
Edhe unë po e përjetoj kështu, në shpirt e në trup. Prandaj, falënderoj sinqerisht të gjithë ata që, sipas shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit Jezus, janë për të afërmin mjete shërimi me fjalë dhe njohuritë e tyre, me dashuri dhe me lutje.
Vështrimi i Papës zgjerohet, pra, tek të gjithë njerëzit me urimin e vëllazërisë në Jezusin Shpëtimtar.
Brishtësia dhe sëmundja janë përvoja që na bashkojnë të gjithëve; pa harruar se ne jemi vëllezër në shpëtimin që na ka dhuruar Krishti.