Vatikan: Shën Pjetri – “Shkëmbi”, dhe Shën Pali “Mjeti i zgjedhur nga Zoti”
Solemniteti i sotëm është shumë i lashtë: gjendet në Librin romak të shenjtorëve shumë para solemnitetit të Krishtlindjes. Në shekullin IV kremtoheshin tashmë tri Meshë: njëra në Shën Pjetër në Vatikan, tjetra në kishën e Shën Palit jashtë mureve, e treta tek katakombet e Shën Sebastianit, ku ka shumë mundësi se ishi fshehur, për një farë kohe, trupat e dy apostujve.
Shën Pjetri
Simoni ishte një peshkatar nga Betsaida (Lk 5,3; Gjn 1,44), që kishte zënë vend në Kafarnaum (Mk 1,21.29). Vëllai i tij, Andrea, e paraqet tek ndjekësit e Jezusit (Gj 1,42), por ndoshta Simonin e kishte përgatitur Gjon Pagëzuesi për këtë takim. Krishti ia ndryshon emrin dhe e quan “Shkëmb” (Mt 16,17-19; Gj 21,15-17), për të realizuar nëpërmjet vetjes së tij temën e gurit themelor. Simon Pjetri është njëri nga dëshmitarët e parë që sheh varrin e Jezusit të zbrazur (Gj 20,6) dhe të cilit Jezusi i ringjallur i shfaqet në një mënyrë krejtësisht të veçantë (Lk 24,34).
Pas ngjitjes së Krishtit në qiell ai merr drejtimin e bashkësisë së krishterë (Vap 1,15;15,7), shpall linjat programuese të Lajmit të Mirë (Vap 2,14-41) dhe, ma anë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Shpirtit të Shenjtë, është i pari që bëhet i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e hapjes së Kishës ndaj paganëve (Vap 10-11). Ky mision shpirtëror nuk e çliron nga natyra njerëzore, as nga mangësitë e temperamentit të tij (khs Mt 14,30; Gjn 13,6;18,10). Pali nuk ngurron ta kundërshtojë në diskutimin e bujshëm të Antiokisë (Vap 15; Gal 2,11-14), për ta ndihmuar që të çlirohet nga praktikat hebraike. Duket se në këtë pikë Pjetri nuk u gjet i gatshëm ta hapte mendjen dhe se kishte prirjen t’i shikonte të krishterët me prejardhje pagane si një bashkësi më e ulët se ajo e të krishterëve me prejardhje hebraike (Vap 6,1-2). Kur erdhi në Romë, Pjetri u bë apostulli i të gjithëve. Atëherë ai përmbush plotësisht misionin e vet si guri i themelit, duke bashkuar një një “ndërtesë” të vetme judenjtë dhe paganët, dhe e vulos këtë mision me gjakun e vet.
Shën Pali
Pas kthimit në udhën për Damask, përshkon tërë rajonin e Mesdheut në katër ose pesë ushëtime. Udhëtimin e parë e bën në shoqërinë e Barnabës (Vap 13-14): nisen nga Antiokia, ndalen në ishullin e Qipros dhe pastaj përshkojnë Azinë e Vogël, që është Turqia e sotme. Pas mbledhjes së apostujve në Jeruzalem, Pali fillon një tjetër udhëtim, këtë herë krejtësisht si i “dërguari” i të “Dymbëdhjetëve” (Vap 15,36-18,22). Përshkon edhe një herë Azinë e Vogël, ungjillëzon edhe një herë Frizinë dhe Galacinë, ku edhe sëmuret (Gal 4,13).
Pastaj kalon në Evropë bashkë me Lukën dhe themelon bashkësinë e qytetit të Filipit, në Greqinë veriore. Pas një periudhe burgu, ungjillëzon Greqinë. Në Athinë, misioni i tij ndeshet me arsyetimet e filozofëve. Në Korint themelon bashkësinë që do t’i krijojë problemet më të mëdha e pastaj kthehet në Antioki. Udhëtimin e tretë (Vap 18,23-21,17) e bën në Kishat e themeluara në Turqinë e sotme, veçanërisht në Efes, në Greqi e në Korint. Duke kaluar nëpër Milet, u parathotë pleqve provat që e presin. Në të vërtetë, pak pas kthimit të tij në Jeruzalem, e arrestojnë hebrenjtë dhe e burgosin (Vap 21). Duke qenë se ishte nënshtetas romak, Pali i bën apel Romës. Fillon kështu udhëtimi i katërt, drejt Romës, por këtë herë nën pranga (Vap 21-28). Arrin në Romë rreth vitit 60 ose 61 dhe rri në burg deri më 63. Në burgun e Romës përfiton nga disa lehtësira dhe hyn në kontakt me të krishterët e qytetit. Gjatë kësaj kohe shkruan të ashtuquajturat “letrat e burgut”.
Pasi u lirua nga burgu, më 63, mendohet se bën udhëtimin e fundit në Spanjë (Rm 15,25-28), ose në babshkësitë e drejtuara nga Timoteu e Titi, të cilëve u shkruan letrat, nga të cilat lë të kuptohet se po i afrohej fundi. Pasi e arrestuan dhe e burgosën edhe një herë, e martirizojnë rreth vitit 67.
Pjetri e Pali: dy emra që gjatë shekujve kanë personifikuar mbarë Kishën në Traditën e saj të pashkëputur. Me anë të predikimit të tyre, Zoti i ka dhënë Kishës frytet e para të fesë së krishterë. Dy mjeshtrave të parë të fesë u rrëfehen edhe mëkatet në Confiteor, duke njohur tek ata Kishën historike. Edhe për lindorët dy “vëllezërit” janë sinonim i mbarë kolegjit apostolik, gurë themelorë të fesë. Edhe sot e kësaj dite Papa e thërret në ndihmë autoritetin e apostujve Pjetër e Pal në aktet zyrtare, kur ka për qëllim ta lidhë Traditën me burimin e saj: fjalën e Hyjit. Vetëm me anë të dëgjimit të kësaj fjale në Shpirtin e Shenjtë, Kisha mund të “përsoset në dashuri, në bashkimm me Papën, ipeshkvinjtë dhe mbarë urdhërin meshtarak”.
R.SH. – Vatikan