Vazhdon jehona në mediat botërore e “The Albanian Key”, vepër e Milot, vendosur në hyrje të Shkodrës

Albert Vataj

Edhe pse kanë kaluar tre muaj që prej inaugurimit të “Çelësi shqiptar”, krijim i artistit Alfred Mirashi -Milot dhe e shpallur fituese në Konkursin Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, vazhdon jehona e botërore e kësaj vepre.

“The Albanian Key”, erdhi për t’u bërë pjesë e artit të madh në traditën shqiptare të vlerave përfaqësuese estetike dhe alegorike, ideore dhe konceptuale, erdhi duke sjellë një mesazh të fuqishëm dhe të qartë, “t’i japim fund dyerve të mbyllura dhe të hapim shanse për të gjithë, duke krijuar mundësi të barabarta për çdo njeri”. Një zë i shpirtit krijues që mund të kushtrojë dhe të dëgjohet , e ku tjetër më zëshëm dhe më fort se sa në Shkodër, në “Djepin e kulturës”, në qytetin e kolosëve të forcës së krijimit!

Me titullin “Arti publik në Shqipëri. Një çelës monumental shfaqet në Shkodër” kritikia e artit Ludovica Palmieri e rikthen në vëmëndje veprën e artistit shqiptaro-italian, Alfred Mirashi Milot, duke e ridimensonuar komunikimin tonë me artin e madh dhe rikonsideruar atë si një hap në marrëdhënien me botën, si një nevojë për të besuar se meritojmë t’i përkasim një të tashme, që jo vetëm po ndryshon, por po e pasuron gjithnjë e më cilësisht progresin dhe qasjen për të qenë pjesë e këtij shndërrimi.

Në revistën prestigjioze për artin dhe historinë, arkitekturën dhe kritikën, “Artribune”, nënvizon “60 ditë planifikim, 7 muaj punë, mbi 30 punëtorë, për një rezultat mbresëlënës mbi 20 mijë kg. Ky është Albanian Key, vepra e madhe e Milotit në Shkodër.

“Një vepër monumentale pret vizitorët në hyrje të Shkodrës: është  çelësi shqiptar  i artistit  Milot, i njohur ndërkombëtarisht për punën e tij jo vetëm në Itali dhe Shqipëri, por edhe në Kinë, ku që nga viti 2020 mban rolin e drejtorit të Muzeut të Artit DODO në Pekin. Prej vitesh ai ka eksploruar idenë e çelësit, në dimensionin e tij fizik dhe konceptual, si një objekt me përmbajtje të lartë simbolike, në nivel kolektiv dhe individual pasi gjyshja e tij ishte një koleksioniste e pasionuar” shkruan mes të tjerash Palmieri në revistën “Artribune”.

Çelësi, prania e vazhdueshme në poetikën dhe jetën e tij, nuk ka mbetur i njëjtë, por me kalimin e kohës ka pësuar një evolucion. Veçanërisht, çelësi i Milotit ka braktisur ngurtësinë didaktike të formës kanonike për t’u zbutur, sikur nga një objekt të kishte marrë jetë e lëvizje, deri në rritjen dhe banimin e lirë të hapësirës. Në të njëjtën kohë, kuptimi i tij është pasuruar edhe me nuanca të reja, në fakt, duke mbetur një simbol i qartë i hapjes, shkëmbimit dhe dialogut, artisti, falë vizionit të tij largpamës, duke e shtrembëruar formën e saj ka ringjallur paradoksalisht kuptimin e saj; aq sa, në një botë gjithnjë e më të lidhur, çështja nuk është hapja e dyerve, por shmangia e mbylljes së tyre, një objektiv që Miloti e ka arritur duke e bërë atë metaforikisht të papërdorshëm.

“Skulptura monumentale e Milotit merr një vlerë profetike, duke u kthyer në një gjest psikomagjik që hapet drejt botëve të tjera, duke e rilidhur artistin me kujtesën e tij personale dhe kolektive. Vepra është në fakt e lidhur thellësisht me Shqipërinë, vendlindjen e artistit, të cilës i bën homazhe në harkun e saj, i cili kujton një  shqiponjë madhështore, simbol të vendit, që do të fluturonte. Në të njëjtën kohë, skulptura imponuese, e vendosur dukshëm në një nga hyrjet e qytetit, lidhet me traditën e marrjes së konformacionit arkitekturorë të një harku triumfal, vijon shkrimi në “Artribune”.

Rikthimi në fokus të mediave prestigjioze të artit i “Çelësi shqiptar” të vendosur në hyrje të Shkodrës, është një tregues i vëmëndjes që kjo vepër konceptuale vijon të rrëmbejë, duke dëshmuar sakaq për vlerën që gëzon arti i Alfred Mirashi -Milot në fokusin e kritikës botërore dhe ekspertëve të artit.

Jo vetëm artisti dhe gjithë ata që ishin pjesë e kësaj sipërmarrje të pashembull arti, ndihen pjesë e këtij privilegji dhe përgjegjësisë për ta merituar këtë prezantim që i bëhet punës dhe përpjekjeve të tyre. Por edhe Shkodra, qyteti i artistëve të kalibrit botërore, merr pjesë në këtë “gosti” vlerësimesh dhe interesimi, këtij promovimi.

(Shkrimin e plotë mund ta gjeni te linku i poshtëshënuar)

https://www.artribune.com/author/ludovica-palmieri/

 

 

 

SHKARKO APP