Vdekja e dy foshnjeve në Berat, prindërit: I gjetëm të ftohtë, kërkojmë…

Një ditë pas ngjarjes tragjike të vdekjes së papritur të dy foshnjeve 5-muajshe, ngjarje kjo që tronditi qytetin e Beratit, prindërit e foshnjeve rrëfejnë momentet e fundit të jetës së bebeve dhe si rrodhën ngjarjet mëngjesin e djeshëm. Eduart dhe Merushe Agalliu tregojnë se mëngjesi i djeshëm ishte si çdo mëngjes tjetër, ku pasi i kishin ushqyer fëmijët me qumësht kutie siç bënin gjithmonë, i kishin vendosur në krevatin e tyre për të fjetur. Pasi ata kishin pirë kafen e mëngjesit që nuk kishte zgjatur më shumë se 20-minuta, nëna Merushja kishte shkuar në dhomën ku ndodheshin fëmijët dhe kur i kishte prekur kishte vënë re se ata ishin të dy të ftohtë.

Në këtë moment, ku fëmijët nuk reagonin aspak ajo së bashku me bashkëshortin e saj, Eduartin, kanë filluar të bërtasin nëpër shtëpi pasi nuk kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur me bebet dhe përse ata nuk merrnin frymë. Menjëherë prindërit kanë njoftuar ambulancën por fëmijët ishin të vdekur që në shtëpi dhe pas mbërritjes në spital, i kishin çuar në morg. Prindërit tregojnë se janë në pritje të përgjigjeve të analizave për të marrë vesh shkakun e vërtetë të vdekjes së fëmijëve.

Eduarti pohon se në familjen e tij i vetmi që punonte ishte ai pasi nusja nuk mund të punonte se duhet të kujdesej për binjakët dhe dy fëmijët e tjerë, 5 dhe 6-vjeç. “Me këto pak lekë është e pamundur të ushqej familjen, por skam çfarë të bëj tjetër. Më kanë ndihmuar me qumësht dhe ushqime disa shoqata, por edhe me këto nuk kemi mundur dot të ushqehemi si gjithë të tjerët”,-shprehet ai. Eduarti kërkon nga shteti zbardhjen e të vërtetës në lidhje me shkaqet e vdekjes së dy fëmijëve të tij binjakë 5-muajsh. /TCH/

SHKARKO APP