Vdekja e dy motrave, reagon ashpër Erion Braçe: Ishte vrasje! Të ndryshojnë urgjent 2 ligje…
Ka reaguar ashpër deputeti socialist Erion Braçe lidhur me vdekjen e dy motrave në një aksident në Sarandë dy ditë më parë.
Braçe kërkon menjëherë ndryshimin e dy ligjeve në Kodin Rrugor dhe Penal, që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore dhe abuzimin me fuqinë e detyrës të punonjësve të shtetit që përdorin edhe armët e shërbimit për ngjarje kriminale.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
Dy vajza të reja fare u përcollën dje në banesën e fundit.
Nuk e imagjinoj dot dhimbjen e nënës së tyre, babait të tyre, gjithkujt që i njohu e ndau jetën e shkurtër me to! Është e tmerrshme, nuk ka ngushëllim, fare!
Kam prej mëngjesit të djeshem që dëgjoj:
Aksident, aksident rrugor!
Jooooo! Nuk është aksident!
Të dehesh, të marrësh makinën, të dalësh me të në rrugë, të ecësh me shpejtësi përtej normës, të hysh në parakalim të gabuar dhe t’i shkosh tjetrit përballë në korsinë e tij, nuk është aksident, as aksident me pasojë vdekjen!
Është vrasjeeee me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja dhe plagosjen e një të trete.
Kodi ynë Rrugor e Kodi ynë Penal nuk e njeh këtë nocion, ndërkohë në rrugë ndodh si vrasje me dashje, madje!
Duhet të ndryshojmë dy ligjet sa më parë;
Dëgjoja dje arrestohet shoferi, ishte i dehur, ishte me shpejtësi, hyri në parakalim të gabuar;
Ja u arrestua, po pastaj? Do hetohet e gjykohet për aksident me pasojë vdekjen? Nuk është i tillë!
E dyta, dëgjova po dje se autori është punonjës i Ministrisë së Brendshme. Nuk e di në qëndron kjo apo jo.
Por një ligj i ri për përgjegjësitë përtej punës që bëjnë për punonjësit e shtetit duhet të hartohet sa më parë, tani! Doemos këta duhet të kenë përgjegjësi publike, më shumë se çdo qytetar i zakonshëm.
Dëgjoj shpesh, përdori armën e shërbimit e vrau gruan, sulmoi komshiun, kërcënoi një tjetër në lokal, ndërtoi pa leje, shkeli ligjin dhe në fund, ishte punonjës i shtetit.
Kjo nuk duhet të ndodhë më!
Me ligj çdo punonjësi shteti duhet t’i ngarkohet përgjegjësi e t’i kufizohen akte që kanë në thelb paligjshmërinë duke përdorur fuqinë e të qenit në një zyrë shteti!”
KOHA JONË SONDAZH

