Vdekja e gruas në 2017, spitali fshehu vrasjen nga bashkëshorti
Në janar të vitit të kaluar, shtetësja V.V. ndërroi jetë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit. Ngjarja në atë kohë u trajtua si vdekje natyrale nga mjeku i urgjencës, shtetasi me inicialet I.T., por një tani policia thotë se bëhet fjalë për një vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.
Policia e Fierit njoftoi se ka zbardhur ngjarjen dhe ka arrestuar për këtë 75-vjeçarin Namik Velaj, që dyshohet si autori i vrasjes së bashkëshortes së tij.
Zbardhja e ngjarjes së rëndë është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe policia e Fierit njofton se janë siguruar provat e nevojshme që dëshmojnë se V.V. është vrarë.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 75-vjeçarin Velaj, ndërkohë që është marrë masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, shtetasin I.T, si edhe ka filluar procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” në Policinë Gjyqësore.
KOHA JONË SONDAZH

