Vdekja e Learit, raporti nga Avokati i Popullit: Policia nuk mori masa. Nëna: Shteti bën fajtor viktimën
Kalvari që shkaktoi edhe vdekjen e të riut Lear Kurti, është dokumentuar nga Avokati i Popullit.Nga raporti del që policia nuk ka ndërhyrë në kohë për të shmangur humbjen e jetës. Ngjarja ndodhi më 19 tetor ku i riu ndërroi jetë në duart e Policisë së Shtetit, në ambientet e komisariatit nr.3.
Në raport thuhet se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq. Duke iu referuar raportit, policët ishin të paqartë por dhe kontradiktorë se pse ishte shoqëruar ky shtetas.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, shkaku i vdekjes së Kurtit është diagnoza Anatomo-Patologjike, e shkaktuar nga mbidozimi (helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Kujtojmë se familjarët e Lear Kurtit kanë hedhur akuza për policinë, ndërsa pohuan se i riu kishte shenja dhune në trup.
Nga raporti nëna e të ndjerit, e cila ka reaguar e trishtuar dhe e revoltuar, thotë se djali i saj nuk kishte probleme shëndetësore. Ajo tha se djali i saj ka ikur nga duart e policisë.
“Djali im nuk ka pasur probleme shëndetësore, por edhe sikur i duhej dhënë ndihma e shpejtë. Dua të më qetësohet shpirti dhe të dalë e drejta. Djali im ka ikur nga duart e atyre. Iku nga dhuna. Nuk di. Djali im ishte si gjithë të tjerët, nuk ishte në atë gjendje që të përfundonte ashtu, por thjesht nuk i është dhënë ndihma e parë. Fatkeqësisht unë nuk besoj dhe jam shumë e zhgënjyer këtë shtet sepse vë në faj personat që ikin nga kjo jetë. Nga aq sa pash nga rrethanat si iku, vë në faj efektivët që kapën djalin tim”, u shpreh ajo.