Vdekja e mjekut, Vargu: Nuk u kujtua njeri! Politikanët i dërgojnë për kurim jashtë, ndërsa…

Në një intervistë me Skype për “Edicionin e Pasdites” në Syri TV, mjeku i njohur Petrit Vargu foli mbi rastin e rëndë të vdekjes për shkak të Covid-19 mjekut të parë në Shqipëri, Arjan Pushi dhe mënyrën se si qeveria ka menaxhuar dhe po menaxhon pandeminë.

Sipas tij, numri i tamponëve në Shqipëri ka qenë shumë i ulët, ndërsa kritikoi strategjinë e ndjekur nga qeveria.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë më në fund u kujtua se numri i tamponëve në Shqipëri ka qenë shumë i pakët. Dhe kjo politikë e ndjekur deri tani do të kishte këtë rezultat që kemi sot. Jemi ndër vendet më problematike të Europës. Jemi ndër vendet e para që është rikthyer edhe një herë pandemia. Jemi një vend i pambrojtur ku jeta e çdo shqiptari ka vlerë shumë të vogël. E them këtë sepse në vende të tjera të botës, strategjitë dhe taktikat kanë qenë të ndryshme por emëruesi i përbashkët ka qenë gjurmimi dhe survejanca e pacientëve ose personave të rastësishëm, prandaj dhe ka hyrë nocioni “tampona në tapet”.

Duhet të shpëtojmë jetë njerëzish dhe jetët e njerëzve shpëtohen duke ndryshuar taktikë, mentalitetin dhe strategjinë e konforntimit të kësaj sëmundjeje. Jemi te 350, jo më shumë se 400 raste sepse ai aparat që kemi aty, që shyqyr Zotit nuk po bën difekt, nuk mund të bëjë më shumë se 400 kite”, u shpreh Vargu,

Sa i përket vdekjes së prof.dr Arian Pushi, Vargu u shpreh se, “nuk u kujtua njeri. Të paktën të bëhej ajo përpjekje që bëhet për politikanët apo ka lidhje me politikën dhe menjëherë e çojnë për kurim jashtë shtetit. Covid nuk është sëmundje që të merr brenda dy orësh”.

Mjeku kërkoi ndihmën e medias në mënyrë që të hiqet termi sëmundje shoqëruese në rastet kur raportohet viktima nga Covid-19.

“Loja e sëmundjes shoqëruese është një lojë që duan të bëjnë këta. 85% e njerëzve mbi 45 vjeç që sheh në rrugë marrin ilaçe. Janë njerëz që kanë një problem tjetër dhe kjo sëmundje të jetë e fshehur dhe mund të mos kesh probleme gjithë jetën. Kjo dihet që Covid kap njerëzit e moshuar dhe me sëmundje të tjera. Çfarë do të thotë kjo? Pse ai që ka sëmundje të tjera nuk i dhimbset jeta? Duan të thonë se nuk e kemi ne fajin?! Kjo është një nga format e propagandës që asnjë vend i botës nuk e bën. Hiqeni si koncept ju të medias që ti jepni një mësim ministrisë”, shtoi mjeku Petrit Vargu.

 

SHKARKO APP