Vdekja e turistes ruse në Ksamil, nis analiza e ADN-së

Rivendoset në funksionim pajisja që kryen analizat e ADN-së në laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë. Pajisja, e cila kryen analizimin e mostrave të ADN-së, ishte dëmtuar në mesin e muajit korrik, duke lënë pezull hetimin e disa çështjeve penale, përfshi edhe atë të vdekjes së turistes ruse në Ksamil, shkruan “Panorama”.

Pajisja analizuese e Policisë Shkencore ishte dëmtuar në një llambë të saj, duke e bërë të pamundur analizimin shkencor, ndërsa ishte e vetmja e këtij lloji në Shqipëri. Për shkak se llamba e re kushton dhe gjendet vetëm në SHBA, zëvendësimi e më pas kalibrimi e montimi i saj ka kërkuar rreth një muaj kohë.

Kjo vonesë ka shkaktuar zvarritje të disa çështjeve penale që janë në hetim dhe që kanë të bëjnë me kryerjen e analizave të ADN-së. Një prej këtyre çështjeve është edhe ajo e vdekjes së turistes 15- vjeçare nga Rusia, Ksenia Ryok. Ajo gjeti vdekjen në korrik teksa ishte me pushime në Ksamil, ndërsa policia vendosi në pranga një person të dyshuar për ngjarjen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ermal Fataj, 31 vjeç, drejtues i një mjeti lundrues me motor që ofronte shëtitje në ishujt e Ksamilit me pagesë, dyshohet se me skafin e tij e ka goditur në kokë dhe kraharor adoleshenten ruse, e cila po notonte pak metra larg bregut të detit në plazh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në helikat e motorit të skafit që drejtonte 31-vjeçari u pretendua se janë gjetur fije flokësh, të cilat po krahasohen me ato të turistes 15- vjeçare nga Rusia.

Vetëm analiza e ADN-së është ajo që përcakton përfundimisht nëse fijet e flokut i përkasin të njëjtit person. Për këtë arsye, nisur edhe nga insistimi i vazhdueshëm i Ambasadës ruse, e cila ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes, është vendosur që analiza e parë e ADN-së që do bëhet me pajisjen e rivendosur në punë, të jetë ajo për çështjen e turistes 15-vjeçare.

Rezultati i analizave pritet të dalë brenda pak ditësh, duke përcaktuar më pas edhe fatin e çështjes penale të hapur nga prokuroria e Sarandë ndaj të riut Ermal Fataj. Ndaj tij në datën 24 korrik është vendosur masa e sigurisë arrest me burg për 45 ditë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?