Vdekja misterioze e 16-vjeçares shqiptare në Greqi, kërkohet hetim i thelluar

Pas ngjarjes së rëndë në Greqi ku një 16-vjeçare shqiptare humbi jetën në mënyrë misterioze, ka reaguar Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Nëpërmjet një thirrje publike të bërë ditën e sotme, KShH dhe UGSh, kërkojnë nga Ministra për Europën dhe Punët e Jashtme që ta ndjekë me precendencë këtë rast.

Deklarata e plotë

Thirrje Publike

Për hetimin e plotë, objektiv dhe të gjithanshëm të vdekjes së shtetases shqiptare 16 vjeçare në qytetin Trikalla, Greqi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH), fillimisht i shprehin ngushëllimet e sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës 16 vjeçare me origjinë shqiptare, e cila është gjetur pa jetë dhe e masakruar para dy ditësh, në oborrin e një kishe në qytetin Trikalla të shtetit Grek.

Sipas të dhënave të publikuara në media, viktima e mitur është gjetur me goditje të rënda në trup dhe fytyrë, aq sa fillimisht ka qenë e pamundur identifikimi i saj.

KShH dhe UGSH nisur nga kjo ngjarje e rëndë, por pa patur qëllim të paragjykojnë hetimin e mëtejshëm të çështjes dhe zbardhjen e saj, i bëjnë thirrje Ministrisë tonë për Evropën dhe Punët e Jashtme që këtë rast të dhimbshëm dhe tronditës ta ndjekë me precedencë.

Me anë të komunikimit në rrugë zyrtare dhe diplomatike, i bëjmë thirrje Ministrisë të interesohet dhe të kërkojë nga autoritetet kompetente greke informacion paraprak, si dhe zhvillimin e një hetimi te plotë, objektiv, të paanshëm dhe të gjithëanshëm nga organet e drejtësisë penale greke, me qëllim që të sqarohen rrethanat e vdekjes së viktimës dhe vendosjes para përgjegjësisë penale të personave ndaj të cilit/cilëve rëndon një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova.

Kjo kërkesë është adresuar gjithashtu edhe nga avokati grek i familjarëve të viktimës, i cili ka kërkuar nga autoritetet greke të ekzaminojnë provat plotësisht, pa vonesë dhe me hapat e duhur të siguruar nga teknologjia moderne, në mënyrë që çështja të hetohet në thellësi dhe për të zbuluar të vërtetën. KShH dhe UGSH, marrin në konsideratë në këtë reagim publik, vonesat dhe mangësitë e vërejtura në të kaluarën në disa raste, në hetimin dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorëve të krimeve kundër jetës të ndodhura në Greqi, kur viktimë e tyre kanë qenë shtetas shqiptarë, një pjesë e të cilave vijojnë të jenë të pa zbardhura, për shkak të zvarritjeve, mungesës së hetimit të plotë apo edhe fshehjes së provave që në fazën paraprake të hetimit.

Gjejmë rastin të përmendim këtu çështjen e familjarëve të shtetasit shqiptar që humbi jetën para shumë vitesh në Greqi, rasti Gjikondi dhe të Tjerë kundër Greqisë, ku në Dhjetor të vitit 2017, Gjykata e Strasburgut vërejti se kishte patur shkelje të garancive procedurale të nenit 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që garanton të drejtën e jetës, se familjarëve të viktimës nuk ju ishte mundësuar një hetim në masën e kërkuar për vdekjen e të ndjerit, se autoritetet greke nuk kishin trajtuar çështjen me kujdesin e duhur dhe se nuk ishte marrë në shqyrtim nëse ekzistonte ose jo një motiv racist për kryerjen e kësaj vepre.

Vdekja misterioze e 16-vjeçares shqiptare në Greqi, zbardhet dëshmia e të dashurit të saj polic.

Ngjarja

Vijon të mbetet misterioze vdekja e vajzës shqiptare 16-vjeçare Maria në Greqi. Ende nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një vdekje aksidentale, vrasje apo vetëvrasje pas rrëzimit të saj nga Kisha në Trikala.

Edhe pse familjarët i mëshojnë idesë së vrasje, ende nuk ka asnjë provë. 16-vjeçarja disa orë para vdekjes së saj, rreth orës dy të mëngjesit, kishte qenë afër shtëpisë së saj me kushëririn dhe shkëmbente mesazhe nga celulari saj me dikë.

Rreth orës tre në mëngjes, të dy u larguan nga zona e tyre në drejtim të Sheshit Trikala ku  takuan oficerin e policisë 27 – vjeçar me të cilin thuhet se e mitura kishte lidhje dashurie dhe më pas kushëriri i Marias u largua.

SHKARKO APP