“Vdekje nga Uji”, nobelisti japonez vjen në shqip

“Parë nga optika evropiane, dhe veçanërisht mesdhetare, mbushur me emocione të forta si në dashuri ashtu edhe në urrejtje, dhe gjaknxehtësi ballkanase në gjykim dhe botëkuptim, kultura japoneze na duket sikur buron prej një dimensioni tjetër të civilizimit”…

Nga Dr. Bledar Kurti

Bledar Kurti

Bledar Kurti

Mbarë bota ka afërsisht dyqind shtete dhe mijëra gjuhë e kultura. Nuk ka asnjë dyshim që Japonia është një ndër vendet me kulturën, traditën, gjuhën, historinë, dhe botëkuptimin më interesant në glob.

Japonezët janë të veçantë! Përtej sakes, sushit, geishave, luftëtarëve samurai, etiketës së mrekullueshme të përshëndetjes, dhe kimonos, japonezët kanë një mënyrë komunikimi dhe një verbum të jashtëzakonshëm.

Parë nga optika evropiane, dhe veçanërisht mesdhetare, mbushur me emocione të forta si në dashuri ashtu edhe në urrejtje, dhe gjaknxehtësi ballkanase në gjykim dhe botëkuptim, kultura japoneze na duket sikur buron prej një dimensioni tjetër të civilizimit. Komunikimi dhe gjuha e thjeshtë e bën Japoninë e kulturës së pasur një vend nga ku rrjedh logjika simplite e marrëdhënies njerëzore.

Letërsia japoneze ka nxjerrë me dhjetëra gjeni të letrave, ndër të cilët, nobelsti Kenzaburo Oe. Shtëpia botuese Ombra GVG ka sjellë për lexuesit shqiptarë një nga romanet e nobelistin japonez, të titulluar “Vdekje nga uji.”

I kredhur brenda thellësive të errëta të trashëgimisë dhe vdekshmërisë, “Vdekje nga uji” është një këqyrje e hollë e rishfaqjes së traumës kombëtare dhe vetjake, dhe na tregon edhe rrugët e ndreqjes së përcarjeve politike, sociale dhe familjare, brenda një shoqërie me plobleme të shumta. Kjo vepër është sa e thjeshtë në gjuhë, por aq e thellë në mendim. Në çdo pasazh e fjalë ndjehet emocioni vetjak i autorit, frika ndaj vdekjes, dhembja artistike dhe krijuese e shkrimtarit, fluturimi në kohë dhe koncepte, fëmijëria dhe mpirja e entuziasmit krijues dhe jetik pleqëror.

Përmes penës së tij, Kenzaburo Oe sjell një vepër inteligjente, pa u shqetësuar nga rregullat e ngurta letrare apo strukturore, dhe paragjykimet e lexuesve të zakonshëm. “Vdekje nga uji” është një vepër inteligjente për lexues inteligjent, jo për nga shkollimi apo dashuria për letërsinë por nga njohja që kanë për vetë jetën dhe mbi të gjitha artin në të gjithë zhanerat e tij.

I lindur në vitin 1935, Kenzaburo Oe u nderua me Çmimin Nobel në letërsi në vitin 1994, dhe ashtu siç e përshkruan The Paris Review, ai u nderua për krijimin e një bote imagjinare, ku jeta dhe miti janë të rëndësishme jo vetëm për trashëgiminë por kanë ndikim të madh edhe në jetën e njeriut të sotëm. Kenzaburo Oe konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më produktivë në Japoni që prej Luftës së Dytë Botërore, dhe njihet si shkrimtari i parë modern në letërsinë japoneze.

“Vdekje nga uji” është një roman kompleks. Në të, lexuesi njihet në mënyrë personale me vetë jetën e shkrimtarit, me dhembjen e tij për djalin e sëmurë, me vendlindjen e tij Shikoku, me krenarinë por edhe të pathënat e jetës në Japoni gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, periudhë gjatë të cilës Japonia i përkiste krahut tjetër të aleatëve perëndimorë.

Ky roman ka mit, vdekje, ujë, perandorë, hijeshi femërore, dramaturgë e regjizorë, dhe kujtime nga fëmijëria të ndërthurura me vepra letrare, folklore, mjeshtra të muzikës klasike, ushtarë e dezertorë, etj.

Kenzaburo oe

Nobelsti Kenzaburo Oe

Sa herë që më vinin kujtimet e mëngjesit, ky vend i rehatshëm ku unë fshihesha në fëmijëri, më kthehej gjithmonë në mendje, bashkë me një kujtim tjetër që e bënte edhe më të fortë. Pasi u rrita, lexova një roman në të cilin një shkrimtar francez tregoi edhe një herë historinë e Robinson Cruzosë, me një vëmendje të veçantë ndaj personazhit E Premtja. Cruzoja, i mbetur në një ishull të bragtisur dhe i lodhur nga jeta e përditshme me punët që nuk kishin të sosur dhe rreziqet e vazhdueshme, kishte një vend të fshehtë si i imi ku ai mund të hynte në një shpellë dhe të shtrihej në argjilë të njomë. Sa herë që lexoja për atë skenë, unë rrëmbehesha i tëri – jo vetëm me zemër por edhe me mendje, në nivelet më të thella të imagjinatës. Dhe tani kujtimi i atij libri ishte rrënjosur përgjithmonë në kujtimet e atij vendi sekret plot me argjilë.

Kur arrita në bregun e lumit të asaj dite Gushti të vitit 1945, i hoqa rrobat e lagura nga djersa dhe i vendosa anash shkëmbit që të thaheshin. Me asgjë në trup me përjashtim të rrobës japoneze që shërbente si mbathje, unë u zhyta në ujin e qetë e më pas në shpellën time sekrete. U shtriva aty me fytyrën lart, i humbur në ëndra. Pas pak nxorra njërin krah jashtë ujit dhe zbulova që ajri i pasdites ishte bërë i ftohtë. Dola dhe i ngula vështrimin Shkëmbit Myoto, që qëndronte lart rrjedhës vezulluese të lumit.

Uji, lumi, shiu, zënë një vend të rëndësishëm në këtë roman. Autori nis pelegrinazhin e tij të fundit përgjatë kujtimeve dhe sekreteve të jetës së tij. Ai është në kërkim të arsyes përse babai i tij u mbyt në lumë, dhe a do e shtynte ajo ngjarje të shkruante romanin e tij të fundit? Gjatë kësaj dileme shfaqet kontrasti midis nderit dhe turpit, midis jetës dhe vdekjes, midis fëmijërisë dhe plakjes, midis reales dhe imagjinatës:

Unë jam Unë, megjithatë jam diçka më shumë, sepse ndiej që unë jam edhe Ai: me fjalë të tjera, unë jam babai im. Babai im i cili u mbyt në atë që tani e kuptoj që ishte kulmi i jetës së tij; babai im, i cili vdiq kur ishte njëzetë vite më i ri nga sa isha unë kur më zuri pusi për herë të parë ajo Marramendja e Madhe. Kjo logjikë shpesh do pasohej një epifani tjetër gjysëm e ndërgjegjshme: Unë e doja babain tim! Zakonisht zgjohesha përsëri (më i qartë kësaj here) i mbytur me emocione të dyfishta: një ndjesi e shplarë nga turpi që luftonte me një dëshpërim brenda shpirtit tim.

Në atë vizionin tim të ëndërrimit, rrëketë e pamëshirshme të shiut i kishin qullur gjethet e pemëve me aq shumë ujë sa që i gjithë pylli dukej po aq i thellë dhe i lagur sa një oqean. Për një njeri të zakonshëm – me erën e dhunshme që i fshikullin përqark këmbëve teksa përpiqet të depërtojë përmes errësirës, duke rrëshkitur e rrëzuar në baltën e ngopur me ujin e shiut – të qëndrosh në këmbë do ishte një çështje e jetë a vdekje. Kjo nuk është hiperbolë, absolutisht jo: të gjithë e dijnë që mund të mbytesh edhe me një gotë me ujë, dhe nëse një udhëtari i rrëshket këmba dhe rrëzohet me fytyrë përdhe në dyshemenë e pyllit, e cila është transformuar në një lumë balte që rrjedh e vërshon në mënyrë të vazhdueshme, është shumë e lehtë të vdesësh.

Por cdo udhëtim ka edhe surprisa. Një ndër to është njohja me një aktore dhe regjizore të re e cila përtej dashurisë për dramën dhe artin mbart të fshehur në kujtimet e saj një fenomen të rëndë social sic është abuzimi seksual. Nga konceptet mitologjike dhe rrugëtimin e pafund të imagjinatës, Kenzaburo Oe e sjell lexuesin në shqetësimet reale të femrave të pambrojtura.

“Tashmë ju kam treguar për atë rastin kur vodha në Faltoren e Yasukunit,” tha ajo, “por pak minuta më vonë tetoja ime nisi të më bombardonte me pyetje, dhe unë u rrëfeva duke i thënë se ndoshta isha shtatzënë. Menjëherë më kërkoi të dinte se kush ishte babai. Unë isha e hutuar dhe nuk e kuptoja se ku donte të dilte. Ajo insistonte vazhdimisht “Kush është ai burri? Si e ka emrin?” me zë të lartë, dhe çjerrës. E kuptova që ajo nuk do dorëzohej deri sa unë të tregoja, dhe mua më dolën fjalët pa dashje nga goja, “është xhaxhai.”

“Ajo reagoi duke pëshpëritur, ‘Kësaj i druhesha,’ dhe vetëm atëherë më ra si rrufe mbi kokë: jam shtatzënë nga xhaxhai im. Pak e nga pak ajo i mësoi detajet e marrëdhënies time me xhaxhain, siç e quaja unë (i cili, sigurisht, ishte bashkëshorti i saj).

Romani “Vdekja nga uji” e Kenzaburo Oe, është një urë gjeografike drejtë botëkuptimit japonez, i cili është i mbushur plot ngjyra historike, folklorike dhe mitike të ndërthurura me imagjinatën e një shkrimtari të madh dhe një kulture mahnitëse siç është ajo japoneze. Por gjithashtu, është edhe një ditar dashurie dhe frike i një artisti, i një plaku, i një fëmije, dhe padyshim i çdo lexuesi, japonez apo edhe shqiptar.

SHKARKO APP