Vdekjet e mistershme në maternitete, 5 procese për mjekim të pakujdesshëm
Ngjarja tragjike në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku Aida Cajka, humbi jetën bashkë me foshnjen, nxjerr në pah 5 raste që po gjykohen. Prokuroria e Tiranës, sakaq ka nisur hetimet ndaj tre mjekëve të maternitetit për vdekjen e nënës dhe foshnjës së palindur nga Kukësi.
Kjo nuk është historia e parë që nëna shtatëzanë humbin jetën nga pakujdesia e mjekëve. Në Gjykatën e Tiranës ka ende procese që janë në gjykimit, madje edhe ndaj dy mjekëve të tjerë të po këtij materniteti. Gjinekologu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, akzuohen për vdekjen e Dorjana Hakës, ish-bashkëshortes së futbollistit të Partizanit, pas lindjes së fëmijës, ngjarje kjo e ndodhur dy vite më parë.
Katër procese të tjera ku akuzohen 5 mjekë për mjekim të pakujdesshëm vazhdojnë gjykimin prej më shumë se një viti. Zgjatja pa fund e proceseve gjyqësore ndaj mjekëve dhe në fund një përqindje mjaft e ulët e shpalljes fajtorë të tyre ose dënimit me gjoba, tashmë është një fenomen në realitetin shqiptar.
Zvarritja e këtyre proceseve me eskpertiza të njëpasnjëshme kanë sjellë jo në pak raste reagimin e familjarëve të viktimave, të cilët nuk e kanë fshehur që zvarritja e gjykimit i kanë bërë të mendojnë si zgjidhje vetëgjyqësinë.
Ka procese gjyqësore ndaj dhjetëra mjekëve të tjerë edhe në rrethe të cilët janë denoncuar nga familjarët e pacientëve që kanë humbur jetën, siç ishte rasti i vdekjes së 17-vjeçares nga Malqi i Korçës pas një operacioni për heqjen e bajameve, dhe që në fund mjeku rezultoi i pafajshëm.
KOHA JONË SONDAZH

