Vdes babai i pacientit “zero” në Shkodër, Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka vdekur nga Covid-19

Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti me COVID19 në Shkodër, ka reaguar ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kjo ministri informon se i moshuari 85-vjeçar, me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID19.

Sipas ministrisë, i moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme.

85-vjeçari ka qenë bartës i COVID-19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes.

85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani.

Viktima ishte i ati i pacientit zero nga Dobraçi, ndërsa ditën e sotme do bëhet dhe funerali.

Bashkia Shkodër ka 49 persona të infektuar me Covid 19, 4 raste vetëm në 24 orët e fundit.

SHKARKO APP