Vdiq në bashkinë e Lushnjës, tezja: Lau shpëlau e iku me këmbë dhe dorë
Familjarët e të ndjerës Shpresa Cani, e cila vdiq në ambientet e bashkisë Lushnjë, kanë thënë se 48-vjeçarja ka shkuar në bashki për të bërë letrat e KEMP-it.
‘‘Jam tezja. Do bënte disa letra atje. Kishte shkuar për të bërë letrat e KEMP-it. Vuante nga sëmundja e gjakut nga anemia. Iku bëri punët këtu lau shplau dhe ku thanë vdiq atje ne u habitëm, vdekje e papritur ishte‘‘.
Bashkia pretendon se 48-vjeçarja ka shkuar për t’i kërkuar që të gjendej një mundësi dhe të mbështetej financiarisht edhe babai i saj.
Në atë moment, Bashkia thotë se u thirr Drejtoresha e Shërbimit Social për ta parë si mundësi dhe ranë në dakordësi që kërkesa të shihej në muajin janar. Sipas Bashkisë, në atë moment 48-vjeçarja është ndjerë keq dhe është thirrur menjeherë ambulanca.
Nuk vonoi edhe qëndrimi i PD-së, ku politika u bë menjëherë. Sali Berisha thotë se Cani kishte patur një debat me drejtoreshën e ndihmës ekonomike, e cila sipas tij është bashkëshortja e deputetit socialist, Bujar Çela.