Vehab Kaba: Ballkan, kush i ka armatosur palët ndërluftuese
(Botuar me 15 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Nuk dihet nëse kjo tragjedi ballkanike, në të vërtetë përfundoi. 51 muaj lufte, 250 mijë të vdekur, 500 mijë të gjymtuar, 2 milion refugjatë, një ngarkesë e madhe vuajtjesh dhe tmerresh, të cilat njeriu i kishte harruar. Të martën, më 26 Shtator, u arrit një marrëveshje e pasigurtë mbi të ardhmen e asaj qosheje të botës, që quhet Bosnje, që u nënshkrua nga serbët, kroatët dhe myslimanët nën ombrellën bekuese të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Bill Klinton. Tragjedia ndali hapin, luftimet marrin frymë dhe ndërkohë ngrihet perdja mbi atë farsën e pabesueshme që ishte embargoja e dekretuar nga Kombet e Bashkuara, për furnizimin me armë të të gjitha republikave të ish Jugosllavisë. Asnjëherë, në të gjithë historinë e OKB (që më 24 tetor mbush 50-vjetorin) nuk kishte ndodhur një karagjozllëk i dimensioneve të tilla si dhe të shkeljes së dukshme dhe të deklaruar, të urdhrave të dala nga një konsensus i përbashkët që duhet të siguronte paqe në bote. Është aq e vërtetë sa një popull, që nuk bën pjesë në të vdekurit prej urie dhe nuk lundron mbi ar, mundi të zhvillojë pa pushim një luftë 4-vjeçare, duke nxjerrë në sheshin e betejës mjete, armë, municione, që kushtojnë shtrenjtë dhe askush nuk t’i dhuron. Do të thotë që dikush ja ka dhënë, dikush tjetër i ka paguar dhe dikush i treti i ka lënë të kalojnë nëpër vendin e tij. Për të kuptuar çfarë ka qenë dhe është në terma ekonomike dhe logjistike, lufta Ballkanike, mjafton të përmendim se një ushtar që qëndron pas një mitrolozi të rëndë dhe qëllon me breshëri për tre sekonda në atë çast ka hedhur në erë 200 mijë lireta. Ai tjetri që fut predhën në topin dhe e tërheq këmbëzën, hedh në erë 800 mijë. Një tank i armatosur konsumon në çdo kilometër 5 litra karburant, helikopteri për të qëndruar në ajër në kushte sigurimi duhet rivizionuar vazhdimisht dhe çdo herë ka nevojë për ndonjë pjesë këmbimi të ri. Gjithë kjo vazhdoi 4 vjet ( pranuar, por nuk është e thënë që ka përfunduar). Si ka qenë e mundur? Kush ka dhënë armët dhe kush ka derdhur paratë? Të mundohemi ta sqarojmë. Po përmendim atë që thotë Paul Beaver, ekspert i madh i armatimeve të një reviste ushtarake më me zë në botë, “Jane’s Sentiel” që botohet në Londër: “Duhet vepruar me kujdes. Ai i trafikut të armëve është një botë tek i cili nuk mund të afrohesh shumë. Është i rrezikshëm. Është e nevojshme të kesh dijeni pak, pa shkuar tepër hollë”. Teknikët thonë se ajo ballkanikja “është një luftë e intensitetit të ulët”, që do të thotë se nuk është luftuar vazhdimisht dhe procedon me luftime të ashpra dhe të papritura, por të shkurtra. Kjo sjell një përdorim të pakët të armëve dhe municioneve. Ndërsa Philippe Morilion, gjeneral francez, një ndër komandantët e parë më të mirë të kaskave blu në ish Jugosllavi thotë: “Ato kanë armë dhe rezerva për 20 vjet luftë”. Ekzagjeronte pak një kolegu i tij gjenerali Monir Talie, komandanti i korparmatës së parë serbe në Bosnje, në Janar të vitit 1993 deklaroi: “Deri më sot, ushtria serbe ka impenjuar vetëm 15 për qind të fuqisë së saj të zjarrit”. Në ato kohë lufta kishte vazhduar vetëm 18 muaj, kaluan dhe 33 vjet të tjera dhe askush nuk mbeti pa armë.
Në panairin e Lindjes
Një fakt i pakundërshtueshëm është që në Bosnje luftohet kryesisht me armë të prodhimit rus. Kjo nuk do të thotë që çdo gjë vjen nga atje: më thjesht, në botë armët ruse janë nga më të shpërndarat për arsye se janë më ekonomike (një kallashnikov kushton zyrtarisht 250 dollarë, por shitet për 150 dhe nëse porosia është e majme arrin deri në 120). Për ata, për shembull iranianët që dëshirojnë të ndihmojnë vëllezërit myslimanë me një furnizim të ngjeshur, nuk mund të dërgojnë armë të tjera përveç atyre që disponojnë vetë, dhe që janë ruse. Deri tani armët perëndimore në Bosnje janë verifikuar vetëm në praninë e raketave kundër ajrore stinger, të prodhimit amerikan. Mund të jenë afro 150 dhe kanë ardhur të gjitha nga Afganistani. Amerikanët ua dhanë partizanëve afganë, 300 në luftën kundër BRSS, të cilët përdorën 50 prej tyre. Në fund të konfliktit u ra ndër mend se kishin lënë pa kontroll një armë të rrezikshme (asnjë aeroplan që i shpëton raketës stinger) dhe dërguan agjentë të CIA-s për t’i riblerë duke ofruar deri në 200 mijë dollarë për copë. Gjetën vetëm 50. Të tjerat ishin zhdukur, u ridukën në Bosnje. Çdo gjë dhe gjithmonë, sidoqoftë fillon nga paratë dhe përballë kësaj pjata vajton në Serbi, ashtu si dhe në Kroaci dhe në Bosnje. Në çdo vend krijuan komitet ekonomik që trokiste derën e të pasurve dhe të varfërve. Sipas të dhënave të policisë të tre vendeve u mblodhën 650 milion dollarë. Pastaj filluan blerjet. Bëri bujë njoftimi i ndodhisë së tre kroatëve që u paraqitën në një dyqan armësh në Çikago ku kërkuan 12 mijë pistoleta luftarake. Pastaj nisën të kërkojnë mitrolozë, pushkë precizioni, municione, i stivosën dhe të gjithë ngarkesën e nisën për në Zagreb. Fluturimi u ndërpre në Majami ku aeroplani u sekuestrua dhe sipas llogaritjeve kishte një vlerë prej 150 milion dollarësh. Kroatëve kjo eksperiencë u shërbeu, dhe menduan se kjo mënyrë për të zhvilluar luftën duke shkuar për të blerë armë nëpër dyqane ishte e padjallëzuar dhe përpunuan një strategji tjetër. Ishte në ish BS në atë kohë, ( në fillim të vitit 92 ) në një vend që quhej Harkevi Siberian Grain Exhange. Kishte qenë vendi ku shitesh dhe blihej gruri dhe mielli. Pastaj nuk dihet se si ishte kthyer në atë vend ku bliheshin dhe shiteshin armët. Cdo javë, në dyert kryesore të disa godinave gozhdohej një buletin me listat e atyre armëve që disponoheshin. Në atë kohë Kroacisë i nevojiteshin tre motorë për aeroplanët Mig 21. Malli ishte gati por nevojitej të dërgohej në destinacion. U gjet një maune në Ukrainë, që lundroi nëpër Danub deri në Rumani, atje ku autorët u vendosën në tre autotrena dhe u futën në Serbi me një tangjent prej 330 dollarësh dhe nga aty, nëpërmjet autostradës u dorëzuan në Zagreb. Ky operacion që përfundoi me shumë sukses dhe u përsërit disa herë pa numërim bëri që Ministri i Mbrojtjes Kroate, Gojko Suzak, të deklaronte Nëntorin e kaluar : “Për atë që kam nevojë, unë e gjej”.
Tregu i Mexikoplatz
Gjithë kjo nxjerr në pah temën se si arrin malli në një zonë që i është nënshtruar me fjalë një embargoje të egër. Ushtarakët seriozë, dhe nuk janë shumë, deklarojnë haptazi se është gati e pamundur t’i nënshtrohet një embargoje vetëm të një ishulli dhe jo më një rajoni që ka shtatë kufij tokësorë, siç është Jugosllavia. Dhe në fakt Kroacia, që për shumë muaj ka qenë vendi më i motorizuar nga forcat e OKB, ka treguar se në 12 pikat e saj kufitare kalojnë çdo ditë 2500 kamionë dhe është praktikisht e pamundur të inspektohen që të gjithë. Të njëjtën gjë thotë edhe drejtori i sigurimit austriak Michael Sika. “Vijnë nga lumi Ring, maune gjigante të ngarkuara me kontenierë, si mund t’i hapësh që të gjitha?” Ky Sika me sa duket ka në dorë çelësat e kashtës, për arsye se Austria është dyshuar si një nga vendet që lejon kalimin e armëve drejt Ballkanit. Tashmë është e njohur, që një vit më parë, nga aeroporti i Vjenës u zbuluan rastësisht pjesë këmbimi për tanket e armatosura, që zyrtarisht ishin drejtuar për në Iran, por në realitet ishin drejtuar për në Bosnje. Përpos kësaj, në Vjenë ekziston një vend i njohur si Harkovsiberian Grain Exhange. Është një shesh Mexikoplatz, sheshi Meksika dhe nëse keni nevojë për një gjuajtës – bombardues, aty do të gjeni njeriun që ua shet. Dhe pastaj ta dorëzon atje ku dëshiron bile deri në destinacion. Dhe nëse është dyshuar Austria, ajo që prodhon vetëm pushkë të precizionit të lartë, të përshtatshme për snajperët, përse të mos dyshohet për Gjermaninë. Sipas specialistëve të “Jane’s Sentie”dhe jo vetëm të tyre, jo të gjitha armët sovjetike që ishin në përdorim në Gjermaninë Lindore janë kthyer në Rusi sic ishte parashikuar në marrëveshje, aeroplan mig 21, tanke të armatosur 772, helikopterë sulmi Mi24 dhe suport Mi8 kanë ardhur në Kroaci, nga Gjermania. Qeveria Gjermane ka protestuar me të gjitha forcat, duke thënë se kjo nuk është e vërtetë por ekspertë të “Jane’s” vazhdojnë të shkruajnë që do të thotë se janë të sigurtë të fakteve të tyre. Në përgjithësi nga fillimi i luftës, Kroacia ka blerë armë me një vlerë 660 milion USD për të blerë tanke të armatosur ruse, armë kundërtanke rpg (gjithmonë ruse), mortaja, raketa kundërajrore. Si ka arritur gjithë ky mall në destinacion? Thjesht. Pothuaj në të gjithë Bosnjën ekzistojnë pista për aeroplanë me tokë të ngjeshur. Janë bërë posaçërisht, duke pasur parasysh një luftë të ardhme guerrilase. Dhe pothuaj, të gjithë aeroplanët rus të transportit mund të ulen në terrene të tilla: vetëm gjatë 8 muajve kanë transportuar 4 mijë ton dhe municione. Burime të OKB thonë nëpër hapësirën ajrore të ish Jugosllavisë kanë kaluar aeroplanë me shenja dalluese të Qipros, Ukrainës dhe Iranit.
Solidaritet islamik
Nuk ka asgjë për t’u përgënjeshtruar. Një aeroplan antonov (aeroplan transporti rus) me shenjat dalluese ukrainase u rrëzua nga serbët mbi Krajinë, një helikopter rus, që transportonte të ndjerin ish ministër të jashtëm boshnjak Irfan Ljubijankiç, u godit me një raketë në rajonin e Bihaçit. E pilotonin tre inxhinierë rusë. Kjo të jep idenë e konfuzionit që sundon në atë hapësirë të botës dhe ku të gjithë janë në shërbim të atij që e paguan. Ata që kanë paguar më pak, për arsye se nuk kanë para, janë myslimanët e Bosnjës. Të dhënat thonë se nuk kanë blerë armë vetëm për 162 milion dollarë, por është një e dhënë që nuk tregon asgjë. Vendet islamike vëllezër tregojnë gjithçka mundin dhe sigurisht nuk kërkojnë para. Kështu turqit kanë dërguar artilerinë e lehtë dhe mbi të gjitha, aparate transmetimi të nevojshëm për një luftë që përgjithësisht është guerrilase, Malajzia ka grumbulluar të gjithë vëllezërit myslimanë dhe ka krijuar një grup të përbërë nga Egjipti, Maroku, Pakistani, Arabia Saudite e Senegali, që dërgojnë atë që mundin. Dhe në heshtje të plotë, qëndrojnë amerikanët. Jo sigurisht zyrtarisht, cili është ai budalla që mund të zihet me miun në gojë? Por afër Kakanjit, qytezë e Bosnjës Qendrore jo shumë larg nga Sarajeva, ndodhet një pistë me gjatësi prej 1 kilometri e gjysmë, e adaptuar për të pritur aeroplanët Hercules C-130, ku dëshmitarët okularë kanë parë dhe fotografuar katër motorët e fabrikimit amerikan, pa shenja dalluese, duke bërë ndalesa të vazhdueshme gjatë gjithë Gushtit dhe ditëve të para të Shtatorit. Në përgjithësi, deri në fillim të vitit 1995, është absolutisht e sigurtë që nën embargon në ish Jugosllavi kanë mbërritur 10 helikopterë rusë Mi17 e Mi8 (50 milion dollarë), 20 raketa kundërtanke kineze (nëpërmjet Iranit), për 10 milion dollarë, 20 sisteme kundërtanke gjermane për 5 milion dollarë ( të ardhur nga Singapori). Raketa kundërajrore Strella-shigjeta (ruse) dhe Stinger (amerikanë) nga Irani për 15 milion dollarë dhe një sasi e panumërt e mortajave, mjeteve të komunikimit, municionesh dhe të ardhurve të sulmit me prejardhje të panjohur. Kjo ka qenë dhe do të jetë mundet lufta Ballkanike. Nuk mund të vazhdohet 4 vjet, nëse e gjithë bota nuk do të ishte përfshirë në furnizimin me armë për palët ndërluftuese.
Marrë nga revista italiane “L’Espresso”, datë 8 Tetor 1995
Përgatiti: V. Kaba