Vejsiu: Maturantët kujdes në fazën e dytë, si t’i kalkulojnë mundësitë në fakultete

Flet për “Koha Jonë”, ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu

Intervistoi: Redjon Shtylla

Çfarë do të ndodhë me ne? Mbetet kjo një nga pyetjet e mijëra maturantëve. Të painformuar ende nga reforma prej një viti në arsimin e lartë, maturantë si rrallë herë protestojnë për të drejtën e tyre, për të shkuar në degën që preferojnë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish- drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, z.Fatmir Vejsiu, shpjegon se cilat kanë qenë arsyet pse maturantët janë përballur me situatën që nuk u shpallën fitues në fazën e parë, e për të këto janë disa. “Një pjesë e mirë e maturantëve, për hir të ndryshimit të kritereve dhe formulave të pranimit janë të destinuar të mbeten pa shkollë, të paktën në sektorin publik. Universiteteve u lindi e drejta të përcaktonin vetë kriteret e pranimit të studenteve. Të nisur nga kjo e drejtë legjislative, ato, universitetet nxituan të hartojnë e miratojnë kriteret për çdo fakultet”. Maturantët janë në ankth sepse frikësohet faktit që mund të mbeten nga vazhduar studimet bachelor, por z.Vejsiu, shpjegon se: “Nga përzgjedhja në fazën e dytë, ekziston mundësia që një pjesë e maturantëve me rezultate shumë të mira të mbeten pa shkollë. Do ketë drejtime studimi edhe për ato, por nuk janë preferencë e maturantëve dhe familjeve të tyre”. Pyetjes se, a do shkojnë studentët në degët që duan? Eksperti, pohon se:”Ekziston një mundësi, që të kalkulojnë situatat në fakultete të tjera, tek të cilat plotësojnë kriteret, edhe pse nuk bëjnë pjesë në preferencat e tyre”. E ndërsa për kërkesën e maturantëve që nuk kanë fituar asnjë degë, është që në raundin e dytë të aplikimit të aplikimit në universitet, të veprohet sipas sistemit të vjetër, meritë-preferencë, për Vejsiun është e pamundur. Kjo sepse, ” bie ndesh me ligjin e arsimit të lartë, por edhe sikur të amendohej ligji, kërkon shumë kohë”.

Situata e ndërlikuar me maturantët, a ka ardhur si pasojë e qindra kuotave të zëna nga një “grusht maturantësh” ekselentë, të cilët kanë fituar të gjitha preferencat? Pas zgjedhjes së tyre, hapet radha për ata që nuk kanë fituar në asnjë degë?

Nuk është vetëm kjo arsyeja e krijimit të kësaj situate. Kjo metodë, shpallja e një maturanti fitues në disa degë, e ka rënduar situatën, por nuk është arsyeja e vetme. Një pjesë e mirë e maturantëve, për hir të ndryshimit të kritereve dhe formulave të pranimit janë të destinuar të mbeten pa shkollë, të paktën në sektorin publik. Në kuadër të ligjit për arsimin e lartë, universiteteve u lindi e drejta të përcaktonin vetë kriteret e pranimit të studenteve. Të nisur nga kjo e drejtë legjislative, ato, universitetet nxituan të hartojnë e miratojnë kriteret për çdo fakultet. Në muajin shkurt 2016, kur maturantëve u mbeteshin edhe 3 muaj të plotësonin Formularin A1, të përfundonin gjimnazin dhe të fillonin përgatitjet për provimet e Maturës Shtetërore. Në vendimet e senateve të universiteteve kishte ndryshime si në lëndët e preferuara të tyre, ashtu edhe formulat e llogaritjes së pikëve për çdo drejtim studimi. U krijua një situatë e vështirë për ta dhe për shkollat e tyre. Po e argumentoj me një shembull: të konkurrojë për gazetari do të llogariteshin, sipas formulës së re, veç notës mesatare edhe pesha 5% për dhjetë lëndë të detyruara dhe me zgjedhje. (Gjuhë shqipe, histori, gjeografi, qytetari, sociologji, filozofi, psikologji, gjuhë e huaj, histori arti dhe histori muzike) Askush nuk e kishte menduar këtë kriter, ndaj edhe maturantë me notë mesatare mbi 9.5 nuk janë shpallur fitues pasi kanë marrë 0 (zero) pikë në lëndët me zgjedhje dhe është shpallur fitues një maturant me notë mesatare 7.2, por që rastësisht kishte zgjedhur sociologjinë, psikologjinë dhe filozofinë. Shumë maturantë kanë humbur edhe 25% të pikëve për shkakun se nuk dinin që për gazetarinë do ishte e rëndësishme zgjedhja e atyre lëndëve. Zgjedhja e lëndëve të avancuara, matematikë, fizikë, kimi, etj., nuk i vlejtën edhe pse kishin shpenzuar energji për tre vjet rresht.

Si duhet të veprojnë maturantët që nuk janë shpallur fitues në degën preferenciale?
Sipas ligjit, ku duhet që të regjistrohen ata?

Rreth 24.000 kuotat e arsimit të lartë publik nuk janë okupuar nga më shumë se sa 13000 – 14000 maturantë, pasi një shumicë e tyre janë shpallur fitues në më shumë se sa një drejtim studimi. Kështu që për fazën e dytë mbeten për t’u plotësuar edhe rreth 10000 vende bosh. Në këto kushte, një pjesë e atyre që protestojnë sot do të shpallen fitues. Problem është që në shembullin që mora më sipër, maturanti me mesatare mbi 9.5, por që nuk zgjedhur ato lëndë nuk mund të shpallet fitues, pasi është renditur poshtë vijës së kuqe më shumë se sa dyfishi i kuotave të pranimit. Pra nëse kuotat kanë qenë 100 në gazetari, maturanti ekselent është renditur edhe i 600-ti (mision i pamundur). Shembulli që mora nuk është vetëm për gazetarinë, por për të gjitha degët e Fakultetit Histori- Filologji dhe të Shkencave Sociale. Do ketë drejtime studimi edhe për ato, por nuk janë preferencë e maturantëve dhe familjeve të tyre. Nga përzgjedhja në fazën e dytë, ekziston mundësia që një pjesë e maturantëve me rezultate shumë të mira të mbeten pa shkollë (bëhet fjalë për shkollë publike). Nga kushtet ekonomike varet e ardhmja e tyre.

Maturantët në disa drejtime kanë humbur deri në 25% të pikëve për faktin që nuk kishin zhvilluar disa lëndë me zgjedhje. Si duhet të veprojnë ata, pasi nga humbja e pikëve, humbasin shansin për të fituar degën e preferuar? A shkojnë studentët në degët që duan? 

Siç e argumentova më sipër, ato që janë shumë larg vijës së kuqe, nuk kanë asnjë shans për t’u shpallur fitues në drejtimet e preferuara. Ekziston një mundësi, që të kalkulojnë situatat në fakultete të tjera, tek të cilat plotësojnë kriteret, edhe pse nuk bëjnë pjesë në preferencat e tyre.

Udhëzimi nr.13, thotë se kandidati pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistrim, nuk ka të drejtë të ndryshojë programin e studimit, për atë vit akademik.

Kjo gjë është shprehur qartë në atë udhëzim. Mos regjistrimi në degën e fituar në fazën e parë rrezikon në fazën tjetër, pasi mund të “gjuhet” nga ato që do konkurrojnë në këtë fazë dhe mund të kenë rezultate më të mira se sa ai. Nuk këshillohet t’u thuhet as regjistrohuni në degën e fituar dhe as mos u regjistroni, sepse ai mund të arrijë një preferencë, por ekziston mundësia të humbasë edhe atë që fitoi në fazën e parë ose të arrijë një drejtim studimi më pak të preferuar se sa ajo e para.

Kapacitetet e universiteteve publike janë pa limit, kurse vazhdimi i kërkimi i kuotave bëhen për privatin, e shihni reformën në tërësi për të ndihmuar sektorin privat? 

Kapacitetet janë të limituara edhe këtë vit si edhe më parë. Privati ka riskun e vet, vetëm në sensin që do të ketë mundësi të thithë studentë më cilësorë.

Një nga kërkesat e maturantëve që nuk kanë fituar asnjë degë, është që në raundin e dytë të aplikimit të aplikimit në universitet, të veprohet sipas sistemit të vjetër, meritë-preferencë, ku Matura Shtetërore të jetë jo dalëse, por hyrëse. Si do ta analizoni këtë kërkesë, a është e realizueshme?

Kjo kërkesë është e pamundur sepse bie ndesh me ligjin e arsimit të lartë, por edhe sikur të amendohej ligji, kërkon shumë kohë. Një tjetër pengesë është që nuk mund t’i mohosh fituesve të raundit të parë rezultatin që kanë arritur. Nëse faza e dytë do të organizohet si ajo e para, logjikshëm do ketë maturantë që do të fitojnë më shumë sesa një drejtim studimi duke krijuar zallamahinë pas shpalljes së rezultateve të fazës së parë. Me qetësi dhe maturë, rregullat, pa cenuar ligjin e arsimit të lartë, mund të ndryshohen. Uroj të bëhet më e mira.

SHKARKO APP