Veliaj: Bizneset të punësojnë më shumë persona me aftësi të kufizuar

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi sot gjatë një aktiviteti për personat me aftësi të kufizuar, se sfida e MMSR-së për vitin 2015 është punësimi i tyre. Ai ftoi bizneset që operojnë në Shqipëri të aplikojnë për të përfituar nga fondi 4.5 milion dollarë i Nxitjes së Punësimit për këtë vit, duke punësuar persona me aftësi të kufizuar.

“Nëpërmjet Fondit të Nxitjes së Punësimit ne paguajmë 4 paga të plota dhe sigurimet shoqërore për 12 muaj për bizneset që punësojnë persona me aftësi të kufizuar. Jam i bindur se do të mbeten jashtëzakonisht të kënaqur nga puna e tyre sepse janë të trajnuar dhe me etikë të lartë pune”, deklaroi z. Veliaj në aktivitetin “Fuqizimi ekonomik i Personave me Aftësi të Kufizuar përmes punësimit” organizuar nga ADRF dhe mbështetur nga USAID.

Në fjalën e tij, ministri Veliaj tha se nga qershori i vitit 2013, kur paratë që u takonin personave me aftësi të kufizuar ishin shpenzuar në fushatë, kanë ndryshuar shumë gjëra. “Kjo ishte skandaloze. Është e paimagjinueshme që paratë e PAK-ut të bëhen rrush e kumbulla për fushatë. Pas 500 ditësh në detyrë, më vjen mirë që dhjetori që sapo lamë pas ishte krejt tjetër. Jo vetëm që arritëm të paguanim në kohë paratë për ndihmën ekonomike dhe PAK, por ky ishte edhe viti i parë që dhamë shpërblim për këto kategori”, tha ai.

Z. Veliaj shtoi se personat me aftësi të kufizuar, së bashku me pensionistët, janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike, ku 93% e tyre e paguajnë atë. “Pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar janë qytetarët më model në Shqipëri, pavarësisht se statistikisht janë qytetarët me të ardhurat më të ulëta në vend”, theksoi ai, duke vë në dukje se ligji kuadër për PAK i miratuar në korrik të vitit të shkuar ishte një ligj i mirë, i cili rriti përfaqësimin e kësaj shtrese.

Gjithashtu, ministri Veliaj falenderoi USAID-in për mbështetjen që u ka dhënë kësaj shtrese dhe njoftoi se shumë shpejt do të mblidhet këshilli i përsonave me aftësi të kufizuar.

Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me mbështetjen e USAID në Shqipëri. Në fund të aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar për rritjen e ndërgjegjësimit për punësimin e PAK.

            

SHKARKO APP