Veliaj: Bllok model në Kodër-Kamëz; do rehabilitojmë 100 lagje të Tiranës
Pas rindërtimit të kopshtit dhe shkollës “Isa Boletini”, komuniteti i Kodër-Kamzës do të ketë shumë shpejt edhe një bllok banimi të transformuar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet për rikualifikimin e bllokut që kufizohet nga rrugët “Kastriotët” – “Gramozi” – “E.Balshajve” – “Ramadan Citaku”, i cili prej 30 vitesh ishte lënë në harresë. Kryebashkiaku tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe falë ritmit të mirë të punës, vjeshta do të na gjejë me një bllok model.
“Para pak muajsh këtu përuruam shkollën “Isa Boletini”, e cila kaloi me një turn; një shkollë model për Njësinë 11. Atë dinë banorët na thanë: “Shumë mirë që e bëtë shkollën, por ne duam rrugë, asfalt, kanalizime e ndriçim’. Arsyetimi ynë atëherë ishte; në fillim bëjmë shkollën sepse kush ka dije dhe kulturë, di të bëjë edhe rrugë. Më vjen mirë që e mbajtëm fjalën për të dyja. Për Kodër-Kamzën ka 30 vite që dëgjojmë: ‘Kur do rregullohet?!” Shumë cinizëm, skepticizëm, dyshim. Jam shumë i lumtur që jemi rrugë të mbarë dhe vjeshta do të na gjejë me një bllok model”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se falë këtij investimi e gjithë zona nuk do të vuajë më nga ujërat e zeza apo përmbytjet, ndërkohë që do të rrisë cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Prej shumë kohësh, gjithë kjo zonë ka pasur një stigmë; pra, kush vinte nga periferia, i kishte shanset më të pakta për arsim të mirë, e kishte rrugën më të gjatë për të ardhur në Tiranë, e kishte më të keq nivelin e jetesës. Ky ka qenë një përrua i madh, ujëra të zeza, të bardha, plehra, nuk ka pasur ndriçim, për gratë e lagjes ora 17:00 ishte një lloj burgu e karantine, edhe kur s’kishim koronavirusin. Urbanistika transformon, do të thotë që njerëzit lëvizin 24 orë, arsimi është cilësor, që nuk kemi nevojë të dyndemi. Tani do kemi dy shkolla të reja, një në Institutin Bujqësor, një tjetër tek “Shqiponja”; pra, “Isa Boletini” nuk ka nevojë të jetë i mbingarkuar”, tha ai.
Veliaj siguroi se puna për projektin e 100 lagjeve në Tiranë do të vijojë për të çuar investimet edhe në nivel kapilar.
“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të jetë vetëm çështje kohe që t’i projektojmë të 100 lagjet e Tiranës. Projekti ynë i 100 lagjeve ngjan me projektin e qeverisë së 100 fshatrave. Një bashki, një qeveri e mirë është ajo që i bën të gjitha, që kujdeset edhe për tërmetin, për të gjitha pasojat, menaxhon mirë edhe epideminë, por nuk le pas dore edhe ato që janë punët rutinë, që kanë 30 vite që presin dhe gjithmonë janë shtyrë nga kriza e radhës. Më vjen mirë që kriza e radhës nuk e shtyu këtë projekt dhe mezi pres që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe në ato pika fundore që mund të kenë ngelur”, deklaroi Veliaj.
Projekti parashikon ndërtimin e plotë të rrjetit rrugor, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ujërave të shiut, ndriçimit rrugor dhe linjave rezervë.