Veliaj: Çojmë urbanizimin edhe në zonat periferike, kantieret hapur pavarësisht pandemisë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për rehabilitimin e plotë të bllokut që kufizohet nga rrugët “Gjok Doçi”, “Demir Nazeri” dhe “Princ Vidi”, ku sipas njoftimit të zyrës së shtypit, krahas ndërhyrjes në 10 akse rrugore, i jepet zgjidhje për herë të parë edhe derdhjes së ujërave të zeza. Veliaj tha se pavarësisht pandemisë dhe tërmetit, puna në kantieret e hapura nuk është ndërprerë.

“Teksa qyteti dhe shteti janë mobilizuar me menaxhimin e pandemisë apo me tërmetin, puna në kantiere ka vazhduar. Jo vetëm që kanë vazhduar, por po i mbyllim në kohë rekord. Kjo është muzikë për veshët e mi, pasi në qershor vjen vera dhe në këto rrugë nuk do të ketë më as pluhur, as ndotje, as derdhje të kanalet ujërave të zeza”, tha ai. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se është lajm i shkëlqyer fakti se urbanizimi po mbërrin me të njëjtën cilësi si në qendër, edhe në zonat kufitare.

“Është lajm i shkëlqyer fakti se urbanizimi ka mbërritur deri në zona kufitare si kilometri 29 në Krrabë, apo deri në zona ku Shën Gjergji apo Biza takohen me Klosin dhe Matin, e në zona ku lagjet e Ndroqit takohen me lagjet e para të fshatrave të Durrësit. Sot sjellim urbanizim të njëjtë, si në qendër të Tiranës, me ndriçim led, me kanalizime nëntokësore për të mos i çarë më rrugët, duke hequr kabinat dhe shtyllat. Kemi sjellë urbanizim edhe në pikën më të fundit të Tiranës, aty ku ndahemi me Bashkinë e Kamzës, trekëndëshi i fundit që kishte mbetur pa ndërhyrje”.

Veliaj ftoi banorët e zonës që të ruajnë investimet, në mënyrë që bashkia të ndërhyjë edhe në lagjet e tjera. “Duke e ruajtur, kemi mundësi që të investojmë edhe në lagje të tjera, në rrugica ku ende kemi shumë punë për të bërë. Dua t’i falenderoj banorët me gjithë zemër; ka qenë një nga projektet model, ku po të shikosh janë tërhequr pak avllitë sepse e kanë kuptuar që vërtet lenë një metër nga toka e tyre, por ai metër është siguri për fëmijët e tyre, që ecin në këto trotuare, shkojnë në shkolla dhe përdorin biçikletën”.

Kreu i Bashkisë shtoi se qyteti do të ketë më shumë hapësira për trotuare, korsi të dedikuara për biçikleta dhe kënde lojërash. “Të bashkëpunojnë për trotuaret, për korsi biçikletash, sepse krijojnë një barrierë edhe mes këmbësorëve. Kemi menduar vetëm për 20% të popullsisë që ka makinë; duhet menduar gjithnjë e më shumë, ose të paktën në proporcion, edhe për 80% të tjerët, që s’kanë makinë dhe duan trotuare, korsi biçikletash, hapësira, për kënde lojërash e fusha për fëmijët”.

Teksa siguroi se bashkia do të vijojë punën për dezinfektimin e hapësirave publike, Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e institucioneve shtetërore për COVID-19. “I ftoj qytetarët që, edhe pse jemi në ditët e fundit të kësaj beteje, ajo s’ka mbaruar ende. Të respektojmë masat e qeverisë, të ruajmë distancat dhe minimumin e higjienës! Ne do të vijojmë edhe me dezinfektimin e rrugëve, siç bëjmë çdo ditë në pikë të mëngjesit, edhe të hapësirave vertikale, siç bëjmë me vaporizatorët pasdite, pasi hyn në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Megjithatë, higjiena personale është e pazëvendësueshme dhe mbi të gjitha projekte të tilla garantojnë higjienë”.

SHKARKO APP