Veliaj: Do çmontojmë depozitat e ujit

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj siguroi se Tirana do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë dhe se shumë shpejt do të nisë çmontimi  i depozitave të ujit, që sipas tij janë një burim infeksionesh dhe shëmtojnë qytetin.

Kryebashkiaku nënshkroi një marrëveshje mes UKT dhe USAID, dhe u shpreh se duke nisur nga ky muaj taksat e pushtetit vendor do të jenë të përfshira në faturën e ujit.

“Kemi trashëguar një kompani me 60 milion euro borxhe. Kemi një situatë skandaloze përsa i përket humbjeve në rrjet. 70 përqind e ujit që shkon në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës, humbet në sistem”, tha Veliaj që njoftoi edhe nisjen e aksionit kundër përdorimit të ujit të pijshëm nga lavazhet në Tiranë.

“Jemi i vetmi qytet që i lan makinat me ujë të pijshëm. Kjo është e ndaluar me ligj, por do të ndalohet edhe me Maliq”, përfundoi kryetari i bashkisë.

SHKARKO APP