Veliaj: Do ta çojmë përpara projektin e nënkalimit te sheshi “Shqiponja”, ju tregoj planin për bypass-in

Kryebashkiaku Erion Veliaj lajmëroi se ka nisur puna për nënkalimin te sheshi “Shqiponja”. Ai tregoi se pas dy viteve bllokim, puna për projektin e nënkalimit te sheshi “Shqiponja” ka nisur me shpejtësi. Projekti parashikon nënkalim me korsi të dedikuara për autobusët, biçikletat, dhe i jep një rëndësi të veçantë gjelbërimit.

“Kishim vullnetin të shkonim përpara me këtë projekt, ndaj i jam shumë mirënjohës kryeministrit, ministres së Transportit, të gjithë stafit, drejtorit të Rrugëve, sepse patëm një mobilizim të jashtëzakonshëm, edhe me mbështetjen e policisë, për të thyer një bllokadë pa kuptim. Në fakt, duke qenë se janë mbushur 2 vjet që kur filloi kjo histori, sot do të vinim për ta inauguruar. Eshtë fatkeqësi e madhe sesi humbasim kohë dhe fillojmë punë atëherë kur duhet ta kishim mbyllur veprën. Ajo që dua të ilustroj me këtë është se, çfarë i bën shqiptari-shqiptarit, nuk ia bën as tërmeti, as virusi. Pra, jemi të këqinjtë e vetes. Nëse një minorancë shqiptarësh e ka ndarë mendjen që do të bllokojë punët, mund ta realizojë këtë, dhe dy vite u realizua. Megjithëatë, nuk dua ta mbajmë kokën pas, do ecim përpara”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se kjo është hera e parë i një bashkëpunimi të kësaj natyre, ku Bashkia bën projektin dhe qeveria bën investimin, që është edhe pjesa e luanit në gjithë këtë bashkëpunim. Teksa, nënvizoi se në të gjithë kantieret po punohet, Veliaj sqaroi edhe lëvizjen e automjeteve pasi të ndërtohet ky nënkalim.

Masat kufizuese për lëvizjen e automjeteve si pasojë e COVID-19 kanë lehtësuar punimet në këtë segment. Por, Bashkia e Tiranës ka gati edhe një plan B, që parashikon një bypass në Mëzez për të dalë te Fabrika e Birrës.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës po vijon punën edhe për procesin e shpronësimeve. Veliaj u shpreh se pavarësisht pengesave artificiale të një pakice, shumica e qytetarëve dëshirojnë që vendi të ecë përpara dhe ky është momenti për të rikuperuar kohën e humbur.

SHKARKO APP