Veliaj: “Do t’i kthejmë qytetit ligjshmërinë; hapësirat e liruara do të rehabilitohen e gjelbërohen”

 

Bashkia e Tiranës nisi sot nga Njësia Administrative nr. 5, aksionin për lirimin e të gjitha hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme nga tregtarët, lokalet apo ambulantë të ndryshëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e drejtoi vetë operacionin që nisi nga sheshi para stadiumit Dinamo, ku edhe ishin mbledhur të gjitha forcat dhe mjetet e Policisë Bashkiake dhe INUV-it, u shpreh i vendosur për të fituar betejën për t’i kthyer qytetarëve rrugët, trotuaret, lulishtet dhe çdo ambient tjetër publik të zënë në mënyrë të paligjshme.

“Do të mbajmë çdo premtim të dhënë! Sot ka mbaruar afati për lirimin e të gjitha hapësirave të zëna publike. E kuptoj se ky është një operacion që nuk i lë të gjithë të lumtur, pasi për çdo veprim që ndërmarrim, pas çdo pengese që heqim, pas çdo lokali që detyrohet të respektojë distancën, pas çdo vendparkimi ilegal që duhet ta çlirojmë, qëndron dikush që mërzitet sepse në Tiranën e katër viteve të fundit, shprehja ‘gjej shesh e bëj përshesh’ ishte politika e ditës. Por, ju siguroj se janë qindra apo mijëra të tjerë që i gëzohen zbatimit të ligjit”, tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, në nisje të këtij operacioni, i cili fillimisht do të shtrihet në të gjitha rrugët e Njësisë Administrative nr. 5.

Nisur nga dëshira e shumicës së qytetarëve, Veliaj kërkoi mbështetjen dhe mirëkuptimin e çdokujt që kërkon që qytetit t’i kthehet ligjshmëria, edhe në drejtim të administrimit të hapësirave publike. “Dua të ftoj qytetarët, ata që janë shumica dhe që në zgjedhjet e fundit votuan për shtet dhe ligj në Tiranë, i lus për bashkëpunim”, tha Veliaj. Ai kërkoi edhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, që duke përfituar nga mungesa e zbatimit të ligjit kanë zaptuar në një mënyrë apo në një tjetër hapësirat e përbashkëta.

“Të gjithë qytetarët e tjerë që, në këtë periudhë katër vjeçare kaosi dhe mungese të Bashkisë dhe autoriteteve lokale, kanë abuzuar me lirinë që u jep ligji, u kërkoj mirëkuptim, u kërkoj të kthehen aty ku mbaron liria e tyre dhe fillon liria e dikujt tjetër”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai siguroi qytetarët se aksioni që nisi sot nuk është fushatë, por punë e përditshme e të gjitha strukturave bashkiake, të cilat në bashkëpunim me komunitetin do t’i kthejnë ligjshmërinë, fillimisht njësisë nr. 5, e më pas gjithë Tiranës.

“Nuk po kërkojmë shumë: Vetëm dy metra! Dy metra është hapësira minimale që i duhet një pensionisti të kalojë rrugën, dy metra është hapësira minimale që i duhet një nëne, një motre, një vajze të kalojë e pashqetësuar në trotuar, dy metra është hapësira që i duhet një invalidi me karrige me rrota që të kalojë rrugën dhe trotuarin”, tha Veliaj. Sipas tij, të jetosh në qytet do të thotë të respektosh hapësirat dhe kufizimet që bëjnë të mundur jetën përbashkët në komunitet.

Ndaj, ai deklaroi se edhe për të gjithë ata tregtarë apo ambulantë që sot shesin në rrugë e trotuare, të cilët me aktivitetin e tyre janë bërë pengesë për qytetarët e tjerë, e vetmja zgjidhje është që të frekuentojnë hapësirat dhe tregjet e vëna në dispozicion nga bashkia. “E di se ka njerëz që mund të kenë ankesa, që thonë ‘po unë ku do të shes?’. Sot tregjet e Bashkisë janë bosh! Kushton vetëm 100 lekë në ditë dhe mund të shesësh sa të duash, pa u tatuar as për volumin e mallit që shet, as për orët që rri në treg”, shtoi Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se kjo është edhe e vetmja mënyrë që Bashkia të plotësojë detyrimet e saj karshi çdo nevoje të qytetit, për çerdhe, kopshte, shkolla, e rrugë më të mira. “Si do të ndërtohen çerdhet kur askush nuk paguan dot as minimumin e detyrimit ndaj të tretëve? Bashkia nuk i pret paratë me gërshërë! Ne na duhet çdo qindarkë që mund të paguhet brenda detyrimit ligjor”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se krahas aksionit në terren, zyrat e administratorit të njësisë përkatëse do të jenë të hapura për të pranuar dhe trajtuar të gjitha ankesat dhe pretendimet që mund të vijnë nga qytetarë të ndryshëm ndaj ndërhyrjes për të kthyer ligjshmërinë në zonë. Ai gjithashtu deklaroi se ky aksion nuk do bëjë vetëm lirimin e hapësirave publike, por edhe do të rehabilitojë pasojat që paligjshmëria ka lënë në terren, siç është pastrimi i inerteve apo edhe gjelbërimi i hapësirave të caktuara.

SHKARKO APP