Veliaj: Dy kampuse të reja universitare në Tiranë. PS e vetmja parti e studentëve
Bashkia e Tiranës do të ndërtojë dy kampuse të reja universitare të cilat do të ofrojnë të gjitha standardet për të gjithë ata të rinj që studiojnë në Universitetin e Tiranës apo në Universitetin Bujqësor.
Në kuadër dhe të Paktit për Universitetin, kryebashkiaku Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të fillojnë punimet për Kampusin e Ri ku do të zhvendosen studentët e Juridikut dhe të Gjuhëve të Huaja, kurse në Institut, Kampusi i ri do i shërbejë të rinjve që studiojnë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
“Dhe lajmi më i mirë është për Fakultetin Juridik, për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, që do të transferohen aty, për 12 godina, për një bibliotekë të re , për një mensë dhe për disa terrene sportive. Të njëjtën gjë ne do të bëjmë dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Një universitet i cili ka mbajtur një peshë të madhe në gjithë kuadrot e bujqësisë dhe tani që i është kthyer vëmendja falë kësaj qeverie tek agrobiznesi, tek agroturizmi, do të kemi një kampus ku dhe tetë godinat që ishin zaptuar do të sistemohen qytetarët që për një arsye apo një tjetër kaluan vitet e tranzicionit aty falë projektit të qeverisë sonë për rindërtimin , por edhe studentët do të kenë një kampus ekzemplar”, tha Veliaj.
Lidhur me banorët që kishin zaptuar këto godina, Bashkia e Tiranës u ka dhënë bonus qiraje gjer sa të sistemohen përfundimisht në një banesë të re.
“Studentët mirë që vinin nga rrethet por ju jepej mistria në dorë që ta ndërtonin vet ashtu siç u bënë në fakt me shumë prej pallateve që u dëmtuan në Tiranë prej punësh vullnetare. Kjo është arsyeja pse disa nga godinat patën dëme. Patjetër kemi bërë një rikonstruksion total shumicën prej tyre, por themelet , kolonat janë po ato. Kjo është arsyeja pse tre godina që në fakt ishin zaptuar nga ata që ishin munduar që ta kalëronin grevën e studentëve, ishin zaptuar nga po këta aktivistë. Ne si socialistë nuk themi ose këta, ose ata. Ne si socialistë themi edhe këta, edhe ata. Edhe ata që kishin zaptuar për 30 vite nën atë rrumpallhane të atij regjimi do të strehohen dhe janë sot me bonus qiraje dhe do të marrin apartamentet duke lëshuar hapësirat e zaptuara në qytetin student, edhe studentët do të kenë një kampus të ri universitar.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se PS është e vetmja parti e studentëve që ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa e ka sot Biblën dhe Kuranin e vet. “Mezi pres të përveshin mëngët dhe për gjithë studentët , qoftë protestues, qoftë që e kanë marrë kartën, apo janë rrugës, duam t’ju themi që kjo parti është e jona por është edhe partia juaj. E vetmja parti e studentëve që ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa e ka sot Biblën dhe Kuranin e vet”, theksoi ai.
Si shembull të suksesshëm, Veliaj solli dhe mbajtjen e fjalës për kartën e studentëve, të cilët përfitojnë shërbime shumë herë më të lira jo vetëm tek institucionet publike, por edhe ato private. “Në fillim fare ishte shqetësuese, sepse pjesa e lidershipit të Universiteteve kërkonte shumë pavarësi dhe më kujtonte studimet e mia, si ato vendet Afrikane që donin shumë pavarësi nga Franca dhe Anglia dhe sapo iku Franca dhe Anglia, filluan të plaçkitnin territorin e tyre për të cilin kërkonin pavarësi.
Ishte habi se si shumë prej rektorëve apo dekanëve, sapo morën pavarësinë nga qeveria dhe kaluan nga Universitete shtetërore në të pavarura, autonome, gjëja e parë që bënë është tender për zyrat, për makinat, nëpër fakultete ku nuk punonte galixhani, printeri, ku harxhohej letra higjienike. Ndaj edhe besoj që ishte e rëndësishme që ne si socialist të mos gjejmë justifikime pse të tjerët nuk i bëjnë punët, por për një punë të pabërë nga dikush tjetër ne të marrim përgjegjësinë dhe ta çojmë deri në fund. Kjo është arsyeja pse në punë ditësh ne arritëm të prodhonim Kartën e Studentit, një kompetencë që i ishte dhënë universiteteve”, u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se sot çdo student që është i shkëlqyer, ka të hapur mundësinë për tu bërë pjesë e administratës. “Jam krenar sot që gjithë ata studentë me 9-a dhe 10-a janë bërë pjesë e strukturave tona të punës. Sot një pjesë të tyre që protestonin në Dhjetor, pasi morën bursën nga kryeministri dhe qeveria jonë, sot i quaj kolegë në Bashkinë e Tiranës.
Kemi pasur mbi 1700 të tillë. Mesi pres që teksa vazhdojnë rekrutimet, kush janë më të mirët, më të aftët, të përqafohen jo vetëm nga Bashkia e Tiranës por nga të 61 bashkitë e vendit dhe nga çdo dikaster të institucioneve, ku me vendimet e Këshillit të Ministrave she kryeministrit Rama është hapur dera për çdo djalë dhe vajzë që pavarësisht se si e ka mbiemrin, se si quhet mami dhe babi, pavarësisht si quhet tesera e partisë që ka është i mirëpritur t’i shërbejë shtetit shqiptar, logos së Bashkisë dhe qeverisë tonë”, theksoi Veliaj.