Veliaj: Energjizimi i PS për të fituar në 2025, Tirana rritet si asnjë qytet tjetër
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet i sigurt se PS-ja do të korrë një tjetër fitore në 2025. Duke folur në “Real Story”, Veliaj thekson se do të nisë menjëherë puna për energjizimin e strukturave të PS për zgjedhjet e ardhshme.
“Misioni im është që në shtator-tetor të merrem me drejtimin e Partisë Socialiste të Qarkut, ku edhe aty do duhet të kemi energji të reja. Unë besoj se me energjinë pozitive duhet të fillojmë përgatitjet tani. Ajo që kemi bërë mirë në betejat e fundit që kam drejtuar në Tiranë është që e kemi filluar dy vite përpara. Kjo do na bëjë fitimtar në 2025 dhe nëse më pyet ç’është në horizont: Mandati i katërt i Edi Ramës dhe puna ime energjike për të siguruar maksimumin e votave në Tiranë që me gjasë do të ketë më shumë deputetë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se Tirana vijon të jetë qyteti që ka rritjen e popullsisë si asnjë qytet tjetër. “Më shumë shkolla, më shumë kopshte, më shumë çerdhe, jo se jam shumë më i ftilluar, por është një qytet që rritet. INSTAT sapo na tha që Durrësi është në stanjacion, pra as ulet e as rritet në numër popullsie; 59 bashkitë e tjera janë me ulje, dhe i vetmi qytet që rritet është Tirana. Shoh atë histerinë nga opozita: Ka një mijë nxënës më pak në Librazhd. Normale, po rritet Tirana e po ulet Librazhdi, do këtë më shumë nxënës në Tiranë.
Këto janë enë komunikuese të një qyteti që po rritet si askush tjetër, madje i vetmi që po rritet. Në këtë sens do rritet edhe numri i deputetëve dhe ajo që është në horizont për mua është një betejë fitimtare për PS-në dhe për Edin për një mandat të katërt. Besoj se ka qenë qeverisja më e mirë dhe më progresivja dhe më transformuesja që ka pasur Shqipëria që nga koha e Pavarësisë”, shtoi më tej kreu i Bashkisë së Tiranës.