“Veliaj”, Gjosha: Më shumë fasadë, Kryemadhi u nxor nga konteksti
Komentet e Monika Kryemadhit për Erion Veliaj, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha i cilëson si të shkëputura nga konteksti. Por Gjosha ka një mendim të qartë dhe të prerë për Veliajn.
Për ish-ministren e integrimit në mandatin e parë të Erion Veliajt ka mbizotëruar fasada dhe propaganda duke lënë në harresë problemet e vërteta të qytetit. Ajo thotë se fitorja përballë Veliajt është plotësisht e mundur.

Shqetësimi kryesor për Klajda Gjoshën është situata aktuale në vend. Ajo thotë se nuk është aspak e shqetësuar për çështjen e djegies së mandateve.
Sipas Gjoshës, opozita nuk ka qenë në asnjë moment në bojkot të plotë dhe mund të marrë pjesë në parlament kur ta shikojë të arsyeshme.
Nëse djegia e mandateve nuk e shqetëson, ajo shprehet se është e shqetësuar për reformën zgjedhore dhe çështjen e votës. Sipas saj prioritet i reformës zgjedhore duhet të jetë parandalimi i blerjes së votës, problem që sipas Gjoshës përcakton dhe votën e LSI.
Deputetja e LSI deklaron se përgjegjësia më e madhe për çështjen e blerjes së votës bie mbi mazhorancën për shkak se ajo duhet të garantojë një sistem të drejtë pasi ka mekanizmat për të blerë vota.
KOHA JONË SONDAZH

