Veliaj: Hiqni çdo iluzion, Teatri do shembet. Minoranca e zhurmshme nuk do i ndalë projektet
“Të gjithë projektet e mira që kanë një konsensus publik nga shumica e heshtur do shkojnë deri në fund”. Ky është premtimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj teksa siguroi qytetarët se Bashkia e Tiranës është duke punuar në shumë projekte të rëndësishme.
Duke folur në Forumin 17+1 që po mbahet këto ditë në kryeqytet, Veliaj theksoi se detyrë e një kryebashkiaku është të mendojë edhe për gjeneratën e ardhshme dhe siguroi se Tirana është një qytet që po kujdeset edhe për këtë.
“Ne në Tiranë kemi punuar shumë edhe me disa prej projekteve të tjera. Një nga projektet që prapë po debatohet tani nga një minorancë e zhurmshme është Teatri i Ri Kombëtar por unë them që në finale të gjithë projektet e mira që kanë një konsensus publik nga shumica e heshtur janë projekte që do vazhdojnë do shkojnë deri në fund dhe sot u gëzova jashtë mase kur dëgjova që gjithë kryetarët e bashkive të Ballkanit po përfshihen në projekte të tilla strategjike”, theksoi Veliaj
Kreu i Bashkisë solli në vëmendje edhe për betejën e një minorance të zhurmshme për të bllokuar ndërtimin e këndeve të lojërave në kryeqytet që sot janë një sukses dhe një realitet i prekshëm nga të gjithë.
“Kur filluam të ndërtonim këndin e parë të lodrave e pamë se çfarë vandalizmi dhe çfarë protestash absurd patëm në tiranë. Pse? Unë besoj se në thelb njerëzit protestojnë ndryshimin dhe jo detyrimisht projektin specifik. Aftësia për dikë që drejton duhet të jetë një analizë që të dallojë se çfarë është një minorancë e zhurmshme që kundërshton ndryshimin kudo dhe ccfarë është një shumicë që me heshtjen e vet të aprovon pavarësisht se nuk rri gjithë ditën me megafon. Vazhduan protestat, mbaj mend që patëm deputetë që erdhën me pistoletë . Ata prish, ne ndërto, 78 protesta prishje, 100 ditë ndërtimi dhe në finale, ka qenë një nga historitë tona të suksesit. Në 50 muaj që e qeverisim Tiranën, kemi 50 kënde lojërash”, deklaroi Veliaj.