Veliaj i dhuron “Kullën e Sahatit”, aktorit e shkrimtarit të njohur Çun Lajçi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në zyrën e tij aktorin dhe shkrimtarin e njohur kosovar, Çun Lajçi. Artisti ndodhet prej disa ditësh në kryeqytet për të promovuar librin e tij të fundit. Veliaj i dhuroi simbolikisht, në shenjë mirënjohjeje artistit të nderuar, “Kullën e Sahatit” të Tiranës.

“Jam shumë i lumtur që kemi pas bujtës në Tiranë, Çun Lajçin e madh, jo vetëm të dyqind roleve, por edhe të dyqind frymëzimeve e dyqind energjive. Sikur të gjithë ne të kishim një minimum të kësaj energjie, të këtyre roleve në shoqëri, do ishte një bekim i madh”.

Duke e përgëzuar për veprën, por dhe për kontributin e dhënë si artist dhe shkrimtar, kryebashkiaku e vlerësoi Lajçin si një vlerë të paçmuar për shoqërinë shqiptare.

Nga ana e tij, artisti Çun Lajçi u shpreh i nderuar për mikpritjen e kryebashkiakut. “Të falënderoj shumë për burrërinë, për ftesën, që more një shitës librash dhe e solle në zyrë, pavarësisht roleve, pavarësisht viteve. Gjithçka ndërtohet në paqe mbi librin dhe mbi dijen, kësaj s’guxojmë t’i ikim, se po ikëm nga dija, nga libri, nga mendimet e të kaluarve tanë, me vetëdije i kemi prerë rrënjët tona. Prandaj, të falënderoj që më more prej librave dhe më prure këtu, duke më dhuruar Sahatin e Tiranës, që do ta mbaj kujtim gjithë jetën”.

SHKARKO APP