Veliaj i dhuron “Kullën e Sahatit” Gjon’s Tears, këngëtari shqiptar mori vendin e tretë në Eurovision: Histori suksesi 

I njohur me emrin e artit Gjon’s Tears, këngëtari me origjinë shqiptare Gjon Muharremi përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku arriti të marrë vendin e tretë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti në zyrën e tij këngëtarin të cilin e vlerësoi maksimalisht për arritjet, teksa i dhuroi “Kullën e Sahatit” në shenjë mirënjohjeje.

“Të kam ndjekur që kur ke qenë fëmijë edhe je shembulli i dikujt që i ka arritur gjërat me punë, me punë, me punë, me punë, me punë, me përpjekje. Një familje që ka sakrifikuar shumë për të të rritur, ama ja ke shpërblyer. Edhe kur të pashë edhe ty edhe Anxhelën dhe thashë: Vetëm Shqiptaria mund të çoj dy përfaqësues. Edhe histori suksesi që prodhon kudo ku shqiptarët e mirë që punojnë”, nënvizoi Veliaj.

Duke ju referuar karrierës së Gjonit, Veliaj tha se është shembulli më i mirë se me shumë punë mund të arrihet gjithçka. “Jam shumë krenar për ty edhe dua shumë që të jesh një shembull për djem e vajza të tjerë. Ti je shembulli që dikush duhet të punoj non-stop për ato 3 minuta në Eurovizion, 13 vjet për ato 3 minuta, kështu që të uroj shumë sukses. Shpresoj që do të kesh një kujtesë të kohës, ku ti punon dhe sakrifikon, por edhe të kilometrit zero ku i kemi rrënjët të gjithë. Kështu që ti ke gjysmën e rrënjëve të tua këtu në Tiranë, edhe mezi pres të vish e ta konsiderosh shtëpinë tënde”, vijoi Veliaj.

Gjoni falenderoi kryebashkiakun Veliaj për dhuratën, ndërsa tha se ndihet krenar që gjysmën e origjinës së tij e ka nga Tirana, pasi nëna e tij është lindur e rritur pikërisht në kryeqytetin shqiptar. “Faleminderit shumë për këtë dhuratë, dhe për këtë simbolikë shumë të bukur. Ndjehem shumë krenar që e kam gjysmën time nga Tirana, dhe e përqafoj gjithë fisin tim që është këtu. Faleminderit shumë”, u shpreh këngëtari.

SHKARKO APP