Veliaj i dorëzon çelësat e shtëpisë së re familjes Lami në Pezë-Helmës

Në Pezë Helmës ka nisur edhe pilotimi i banesave të reja, të cilat do të përdoren për projektin e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shtëpia e parë e ndërtuar sipas këtij stili perëndimor, është ajo e familjes Lami në Pezë-Helmës. Pas premtimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe falë kontributit të Fondacionit “Mirësia” dhe bashkatdhetarëve tanë, shtatë anëtarët e familje Lami kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, shumë herë më të bukur dhe më të fortë se ajo që kishin.

“Jam shumë i lumtur sot që Beqiri, nusja e tij, djali me nusen, nipat e mbesat, janë futur në shtëpinë e re. Është tamam vilë e stilit perëndimor. Po ta shohësh, dallon nga shtëpitë e tjera në fshat. Ky do të jetë modeli i shtëpive të reja. Sot kam zemrën plot me mirënjohje për Korabin, për fondacionin që ai drejton, për gjithë shqiptarët e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, që iu bashkuan kësaj nismës për pilotimin e shtëpive të reja nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni ‘Mirësia’. Beqiri ka vuajtur shumë, sot është një hall më pak”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se është vetëm çështje kohe sa të ndërtohen edhe 870 banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Do të vazhdojmë me 870 shtëpi të kësaj tipologjie; harxhojnë më pak, kanë termoizolim, kanë ndriçim led. Kanë kosto më të ulët mirëmbajtje, por edhe rezistencë më të madhe, ndaj si shtëpia e Beqirit do të bëjmë edhe 870 shtëpitë e tjera në Tiranë. Më vjen mirë që në muajin e Ramazanit u puqën shumë mirësi bashkë, sepse sot është edhe ditë e shënuar për zonën e Pezës, si “5 Maji”, si një nga trevat më heroike me kontribute të mëdha të familjeve të dëshmorëve”, theksoi Veliaj.

Drejtuesi i Fondacionit “Mirësia”, Korab Kaja, u shprehu mirënjohjen të gjithë bashkatdhetarëve në SHBA, që kontribuan në mbledhjen e fondeve, dhe Bashkisë së Tiranës për procedurat për ndërtimin e banesës. “Gjatë periudhës së tërmetit, qe një solidarizim i madh i gjithë bashkatdhetarëve; fondacioni ka qenë shumë i angazhuar në të gjitha zonat e prekura. Është banesa e parë që po inaugurojmë, nga 6 banesat që do ndërtohen; është një kontribut i veçantë nga shqiptarët në Amerikë, nga Nju Xhersi dhe Nju Jorku, ku një grup bashkatdhetarësh iu bashkuan nismës. I falenderojmë të gjithë kontribuesit, që mundësuan rindërtimin e kësaj banese”, deklaroi Kaja.

Për familjet e dëmtuara nga tërmeti dhe të shpallura të pabanueshme, Bashkia e Tiranës ka siguruar bonus qiraje deri në zgjidhjen e strehimit të tyre, ndërkohë që janë ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë gjithë periudhës së pandemisë COVID-19.

SHKARKO APP