Veliaj: I shtrijmë dorën e bashkëpunimit kandidatëve e të gjithë atyre që do na bashkohen në Këshillin Bashkiak

Në mesazhin e tij të falënderimit për këdo që kontribuoi për fitoren e jashtëzakonshme të Partisë Socialiste në Tiranë, e sidomos të qytetarëve që i dhanë sërish votën për një mandat të tretë në krye të Bashkisë, Erion Veliaj kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për të vijuar punën për zhvillimin e Tiranës. Nga selia e PS, Veliaj tha se do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit kandidatëve që garuan së bashku me të në këto zgjedhje, por sidomos të gjithë këshilltarëve të çdo force politike të zgjedhur nga qytetarët për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

“Dua të përdor këtë mundësi nga selia e partisë sonë, nga selia e familjes sonë, nga selia e bashkësisë më të madhe politike për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kandiduan për Bashkinë e Tiranës. Dua t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Belindit, Arlindit, Rolandit, Markos dhe Lajlës. Ne nuk jemi armiq, jemi gdhirë në të njëjtin qytet, kalojmë në të njëjtat rrugë, do të kemi të njëjtat probleme. Shpresoj shumë që ta pranojnë këtë ofertë që të bashkëpunojmë, mos të hyjmë në një Këshill Bashkiak ku vazhdon avazi i vjetër i përçarjes dhe i ndasisë. Ne nuk kemi nevojë për të tjerë në Këshill Bashkiak, por kemi dëshirë që të bashkëpunojmë me të tjerë në Këshillin Bashkiak”,-u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se Partia Socialiste në Tiranë ka fituar shumicën absolute edhe të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, por këtë bashkëpunim e kërkon për të mirën e qytetit.

“Falë mbështetjes së jashtëzakonshme që na kanë dhënë qytetarët, duke votuar logon e Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak, ne sot kemi dhe një shumicë vendimtare në Këshillin Bashkiak, një shumicë që na lejon që këtë vizion, këto premtime, këto projekte të vazhdojmë t’i çojmë përpara. Ne nuk kemi nevojë në sensin e numrave, për vota të tjera në Këshillin Bashkiak, por kemi një dëshirë shumë të madhe që të bëjmë një fillim të ri, të fillojmë një rrugë të re, të kemi një traditë të re, ku nuk vazhdon më kënga e Ilirit dhe e Saliut, tani e përkthyer në Këshillin Bashkiak ku për nevojat e qytetit për të ndërtuar ato shtëpi, që ende presin të ndërtohen për tërmetin, shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë që ende presin që të shohin dritë ne zhvillimit, ne ta gjejmë këtë frymë bashkëpunimi dhe të japim një mesazh nga Tirana që pavarësisht diferencave kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë”,-e mbylli apelin e tij Veliaj

SHKARKO APP