Veliaj inspekton punën për transformimin e Parkut të Liqenit të Farkës
Parku i Liqenit të Farkës, i dyti më i madhi në Tiranë pas atij të Liqenit Artificial, i cili është kthyer në një atraksion të ri për turizmin në kryeqytet, do rivitalizohet përmes një projekti të ri transformimi nga Bashkia e Tiranës. Veç gjelbërimit dhe hapësirave çlodhëse e rekreative, projekti parashikon ndërtimin e një pistë vrapimi dhe korsie biçikletash që do të përshkojnë thuajse të gjithë vijën lineare buzë liqenit, duke e vënë kështu parkun në funksion edhe të aktiviteteve sportive.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar punimet që po kryhen, duke nënvizuar faktin se kjo hapësirë e gjelbër publike me terrenet e reja dhe ato që po ndërtohen, do t’i shërbejnë të gjithëve. “E gjithë Farka është kthyer në një kantier këto kohë. E di që një kantier i ka lanë stafetën një kantieri tjetër, por më vjen mirë që mbajtëm premtimin për ekipin e volejbollit. Kemi pallat sporti në Farkë, ndoshta më të mirin që kemi sot në Tiranë. Ndihem shumë mirë që në nivel kapilar ne kemi shkuar në çdo rrugicë”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, Farka është vend i kontrasteve të mëdha, ku ka të përfshirën pjesën rurale dhe atë pjesë të Tiranës që banon në rrethinat e Farkës, Mulletit, Petrelës edhe Lundrës. “Roli i Bashkisë është që të bëjë një investim dhe të ndërtojë një infrastrukturë që të gjithë i bën të ndjehen të barabartë. Nuk ka rëndësi nëse dikush vjen nga fshati apo nga qyteti, nëse dikush është i pasur apo me ndihmë sociale, kur vjen në një hapësirë publike ndjehet i barabartë me të tjerët, ashtu siç në fakt kemi bërë edhe me Parkun e Liqenit,” tha Veliaj.