Veliaj inspekton vijimin e punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri

I shoqëruar nga një grup arkitektësh nga “Bjarke Ingels Group”, kryebashkiaku i Tiranës, ka realizuar një inspektim të shpejtë të punimeve në kantierin e ndërtimit të Teatrit të Ri.
“Një inspektim i shpejtë në kantierin e Teatrit të Ri, së bashku me një grup arkitektësh nga “Bjarke Ingels Group”, të cilin po e rindërtojmë aty ku ishte, më të madh dhe më të bukur seç ishte.
Jam shumë entuziast për ritmin e punimeve e mezi pres që, pas karabinasë, të nisim nga puna për detajet teknike, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup arkitektësh të kompanisë arkitekturore “Bjarke Ingels Group”, inspektuan punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri.

Veliaj vuri në dukje ritmin e mirë me të cilin po ecin punimet, por edhe cilësinë e ndërtimit, duke shtuar se brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë së Teatrit.

“Kjo është një vepër e vërtetë arti! Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti, që do t’i mbesë qytetit për 100 vitet e ardhshme. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi. Më vjen mirë që nuk kemi ceduar te cilësia, teksa shpejtojmë punimet. Ne presim që, deri në fund të tetorit apo fillimi i nëntorit, të kemi dalë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punojmë pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të kemi përfunduar karabinanë”, tha Veliaj.

Nëse punimet vazhdojnë me këto ritme, ai bëri me dije se Teatri i Ri do të jetë i përfunduar për një vit. “Jam vërtet entuziast dhe dua që ta shtojmë ritmin e punës. Në fazën e dytë do të punojmë për pjesët teknike dhe besoj shumë fort që, për një vit e pak, të kemi mundësi të vëmë veprën e parë. I shkon Tiranës, sidomos vitin tjetër kur do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duam që të lëmë pas jo vetëm një kalendar shumë të pasur të ngjarjeve, të aktiviteteve të kulturës, por të lëmë pas edhe një bizhu”, shtoi ai.

Duke e konsideruar projektin një skulpturë që do të mbetet pajë për brezat e ardhshëm, Veliaj vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me kompaninë e njohur daneze.

“Unë besoj se me Bjarke Ingels Group, kompania e njohur daneze, do t’i lëmë një nishan të jashtëzakonshëm qytetit. Fakti që kemi BIG-un nga Danimarka prezent këtu, si pjesë e kësaj buqete të arkitekturës moderne, është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se projekti transformues mori vlerësime edhe nga aktorët shqiptarë, me të cilët inspektoi punimet disa ditë më parë. Veliaj shtoi se pavarësisht se kundërshtarët politikë kanë zgjedhur të bëjnë betejë politike duke shkatërruar, mazhoranca vijon misionin e saj për të ndërtuar. “Kjo punë kështu është ndarë: disa do djegin dhe do shkatërrojnë, disa do krijojnë dhe do ndërtojnë. Ne jemi te skuadra që krijon dhe ndërton, disa kanë zgjedhur një skuadër tjetër që shkatërron dhe djeg, por demokracia kjo është. Për sa kohë që po e bëjmë teatrin aty ku ishte, por më të bukur, më të madh dhe më të fortë seç ishte, jemi të larë me historinë dhe me besimin që na kanë dhënë qytetarët e këtij qyteti fantastik”, përmbylli ai.

Ndërkaq, arkitektja e kompanisë BIG, Catherine Huang, tha se ndihet e nderuar që ka mundësinë të kontribuojë për një qytet të bukur siç është Tirana.

“Mendoj se kemi pasur gjithmonë një respekt të thellë për ambicien dhe vizionin tuaj. Na pëlqen vërtet ideja për të krijuar diçka për publikun, për të pasuruar jetën publike. I ndërtuar në sfondin e kësaj rruge do të jetë shumë e bukur. Ndihem shumë e nderuar që punoj me njerëz të mrekullueshëm, në një mënyrë që na lejon të sigurohemi që cilësia të jetë më e larta. Ka një nivel të lartë inovacioni, kështu që ne jemi gjithashtu shumë të emocionuar që po punojmë së bashku duke krijuar zgjidhje. Ne mezi presim që të ndihmojmë për të ofruar një teatër me cilësinë më të lartë të hapësirës për Tiranën. Ndihemi shumë të nderuar që jemi pjesë e kësaj”, tha ajo.

SHKARKO APP