Veliaj jep lajmin e mirë: Federata Europiane e Atletikës e regjistron Maratonën e Tiranës me garë të plotë
Për herë të parë Federata Europiane e Atletikës e regjistron vendin tonë me garë të plotë maratone. Suksesi në katër organizimet e mëparshme të gjysmëmaratonës së zhvilluar nga Bashkia e Tiranës ka bindur drejtuesit e Federatës Europiane të Atletikës që të regjistrojë Tiranën për garën e 42 km si dhe të tjerat 21 km dhe 10 km.
“Super lajm! Tirana Marathon për 100-vjetorin e kryeqytetit do të jetë në 18 Tetor 2020! Për herë të parë Federata Europiane e Atletikës na regjistron me garë të plotë 42 km si dhe të tjerat 21 dhe 10! Forca, forca, forca!”, shkruan Erion Veliaj në “Twitter”.
Do të jenë 42 km më promovuese për Tiranën e jo vetëm, duke krijuar një mundësi të shkëlqyer për të përcjellë zërin e kryeqytetit, përtej kufijve në të gjithë botën. Itineraret e certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë por edhe në argëtim. Përveç se një ngjarje sportive për garuesit, Maratona konsiderohet edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin organizohen shumë aktivitete artistiko-kulturore në kuadër të këtij eventi.