Veliaj: Kënd lojërash për fëmijët në çdo lagje
Fëmijët e bllokut të pallateve në rrugën “Sitki Çiço” në Tiranë do të ketë brenda verës një hapësirë të denjë ku mund të luajnë dhe të argëtohen. Bashkia e Tiranës nisi sot punën për ndërtimin e këndit të lojërave në zonën përballë maternitetit të ri, i dyti pas atij në rrugën “Mine Peza”.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky është një tjetër investim që vjen në partneritet me sipërmarrjen private dhe që shkon në favor të më të vegjëlve të qytetit.
“Ashtu siç kemi premtuar, teksa presim 1 qershorin për të hapur këndin e lodrave te Parku i Liqenit, kemi nisur punën te ‘Mine Peza’ dhe ky është sheshi i dytë nga 12 të tilla që do të kemi në të gjitha njësitë urbane të Tiranës. Më vjen mirë sepse kjo është një lagje relativisht e re. Të gjitha pallatet rreth Maternitetit të Ri janë ndërtuar në 20 vitet e fundit. Kjo do të thotë se ka shumë çifte të reja dhe njerëz me fëmijë, të cilët s’kanë ku të luajnë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që, ashtu si edhe te Parku i Liqenit, të shtojë hapësirat për fëmijët në çdo lagje.
KOHA JONË SONDAZH

