Veliaj kujton 89-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, shtëpia e poetit të madh bëhet muze
Sot është 89-vjetori i lindjes së shkrimtarit dhe poetit të madh, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta në vitin 2017, por kryebashkiaku Erion Veliaj e ka përkujtuar atë me një status të ndjerë dhe një lajm të bukur për të gjithë adhuruesit e veprës së tij të çmuar.
Shtëpia e Agollit, e cila ndodhet në të njëjtin pallat me shtëpinë e shkrimtarit tjetër të madh, Ismail Kadare, në Rrugën e Dibrës, do të shndërrohet në muze, njësoj siç u veprua pak kohë më parë me shtëpinë e Kadaresë.
“T’i ngremë gotat gjer në fund,
Të dalë e ku të dalë!
Nga vreshta rrushi vjen në but,
Nga kupa-shpirti valë.”
“Të ngrohta si kujtimet e bukura janë vargjet e Dritëroit të madh! Këtë javë, në 89-vjetorin e lindjes së tij, Bashkia e Tiranës, me dëshirën e fëmijëve, do të kalojë në pronësi të saj shtëpinë e poetit dhe shkrimtarit, në Rrugën e Dibrës, për ta shndërruar në një muze, që mund të vizitohet nga të gjithë dashamirësit e veprave të tij”, shkruan Veliaj.
Përpos kësaj, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar pallatin e famshëm ku kanë jetuar dy nga kolosët e letrave shqipe, i cili është projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972.Në njërën nga faqet e pallatit është vendosur edhe një murale, që personifikon Agollin, Kadarenë dhe Velon.