Veliaj letër qytetarëve: Në 4 shtator nisim luftën kundër zhulit

Kreu i Bashkisë u ka bërë thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e aksionit për pastrimin e Tiranës më 4 shtator. Në letër, ai jep dhe numrin e vet të telefonit, për të përcjellë shqetësimet e tyre me anë të SMS-ve.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj fton të gjithë qytetarët e Tiranës, që të premten e ardhshme, më 4 shtator, të bëhen pjesë e aksionit të madh për pastrimin e qytetit. Ai ka nisur dje pasdite një letër familjare në çdo shtëpi, ku dhe u kërkon banorëve të Tiranës që t'i bashkohen luftës kundër zhulit, duke kontribuar vullnetarisht në një ditë të vetme.

“Unë dëshiroj t’ju ftoj edhe ju të na jepni një dorë në këtë përpjekje, duke na u bashkuar në Aksionin Qytetar për Pastrimin e Qytetit, më datë 4 Shtator. Angazhimi juaj në këtë ditë, duke ndihmuar për pastrimin e rrugës apo lagjes suaj, është garancia më e mirë për një qytet të pastër e të jetueshëm për të gjithë. Duhet veç një palë doreza, një qese e shumë dashuri për Tiranën tonë”, – shprehet Veliaj në letrën e vet dërguar qytetarëve.

Më tej në këtë letër, kryetari i Bashkisë iu ofron qytetarëve edhe numrin e telefonit të administratorit të Njësisë Administrative, për t’i shprehur çdo problem dhe shqetësim që ata kanë me mbarëvajtjen e punëve të lagjes së tyre. Po ashtu, Veliaj në këtë letër ka vendosur edhe numrin e vet të telefonit, ku qytetarët, me anë të mesazheve të shkruara, mund të shprehin pakënaqësitë e tyre në rast se administratori i Njësisë përkatëse nuk u ka dhënë zgjidhje problemeve që mund të kenë.

“Për çdo informacion lidhur me këtë aksion apo gjithçka tjetër që lidhet me komunitetin tuaj, ju ftoj të lidheni me Administratorin e Njësisë, z. …. në numrin 06…. Ashtu si çdo punonjës tjetër i Bashkisë që unë drejtoj, edhe Administratori ka një detyrë të qartë: t’ju shërbejë juve, qytetarëve, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Për çdo ide apo shqetësim mund të  më kontaktoni me SMS tek numri …. dhe email: kryetari@tirana.gov.al”, – shkruan Veliaj në këtë letër.

Më tej ai thekson se gjatë këtij muaji të parë, Bashkia ka nisur nga puna për ta rikthyer Tiranën në normalitet, duke filluar nga ato ndërhyrje që ajo i ka konsideruar si më urgjentet, si: pastrimi, transporti publik e hapësirat publike.

“Natyrisht, në kaq pak ditë veç sa kemi gërvishtur sipërfaqen e problemeve me të cilat përballet qyteti ynë. Por unë besoj se të gjithë bashkë po tregojmë ditë pas dite se aty ku ka dëshirë për të punuar dhe mbështetje nga qytetarët, nuk ka asgjë të pamundur”, – shkruan Veliaj në këtë letër.

Ndërsa thekson se Bashkia që ai drejton është e vendosur për t’i kthyer qytetit pastërtinë që meriton, bën të ditur edhe faktin se tashmë është përcaktuar që kontratat e  kompanive të pastrimit do të varen nga puna që ato bëjnë dhe këtë do ta vlerësojnë vetë qytetarët.

“Një ndër nismat tona më të rëndësishme të këtyre ditëve është ajo për pastrimin e qytetit. Po bëjmë maksimumin për të garantuar një qytet të pastër me moton #Luftë Zhulit! Ua kemi bërë të qartë kompanive të pastrimit se rinovimi i kontratave të tyre do të vendoset mbi bazën e anketimeve qytetare, ku ju do të vlerësoni me notë punën e kompanive. Shumë prej jush na e kanë pohuar diferencën pozitive”, – thekson Veliaj.

SHKARKO APP