Veliaj me të rinjtë në Kavajë sulmon PD-LSI: Ejani në shtëpinë e fitimtarëve
Drejtuesi politik i PS për Tiranën, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me të rinj në Kavajë, ku nivelin e kandidatëve të propozuar nga PD-LSI për qytetin i quajti fyerje, figura të konsumuara dhe që nuk kanë bërë asnjë punë kur ishin në qeveri. Arsyeja kryesore që sipas Veliajt nuk duhet besuar te ndryshimi që PD-LSI trumbetojnë gjatë kësaj fushate, është fakti i thjeshtë se ata nuk besojnë te Shqipëria.
“I kemi parë çfarë kanë pasur në dorë dhe nuk kanë bërë asnjë punë. E quajmë fyerje për Kavajën kur na sjellin më të lodhurin e partisë më të lodhur sot në Shqipëri, Petrit Vasilin. Nuk ka njeri që të mbajë mend një punë që të ketë bërë. U mundën në Tiranë dhe thonë, të paktën e çojmë në Kavajë se ata nuk e njohin. Shikoni palën tjetër! Gridën e mundi Durrësi, pastaj edhe Tirana e nxorri me rezultatin më të dobët, tani e kanë sjellë në Kavajë. Ata sjellin më të dobëtit, ne sjellim më të mirët. Ata sjellin më të lodhurit, ne sjellim më të shkathëtit. Ata sjellin më të konsumuarit, ne sjellim ata që kanë energji për të dhënë për Kavajën, për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Kjo është diferenca”.