Veliaj në Baldushk: T’i japim fund kaosit të tregtarëve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke  prezantuar sot ne Baldushk, administratorin, Ilir Bermeta,  bëri të ditur se do të ndërhyhet për t’i dhënë fund kaosit me tregtarët që shesin të pa kontrolluar në çdo cep të qytetit,

Ai tha se do të krijohen  tregje të produkteve bujqësore dhe blegtorale me standarde europiane.

“Duam të ndryshojmë mënyrën si shiten produktet bujqësore në Tiranë. Historia që çdokush që vjen nga zonat e fshatit shet në rrugë jashtë çdo standardi higjienik duhet të ndryshojë”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu u shpreh se një nga zgjidhjet që ofron Bashkia e Tiranës është një sistem i ri, i cili përcakton zonat ku do të shiten produktet sipas një kalendari të përcaktuar. “Kjo është arsyeja pse ne propozojmë që ne fundjavave të kemi tregje të dedikuara për zona të caktuara; pra, të dimë se në një shesh apo rrugë të caktuar po shiten produkte nga Baldushku, nga Farka, Peza, Ndroqi, Kashari e kështu me radhë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Sipas tij, kjo është një risi e cila do sjellë përfitime, edhe për fermerët, edhe për ata që banojnë në zonat urbane.

“Ne do të kemi një pol për bujqësinë, ku Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Bujqësisë të funksionojnë bashkë, për t’i dhënë drejtim të gjithë këshillimit për të cilin kanë nevojë zonat, për t’u siguruar që asnjë investim nuk shkon dëm dhe për të pasur garancinë që ne do të kemi shitje të prodhimeve”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, ai u ndal edhe tek përpjekja e bashkisë për të vendosur rregullin në gjithë territorin e saj, duke çliruar hapësirat publike dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët që të respektojnë jetën në komunitet. Por, sipas tij këto masa vlejnë për të gjitha njësitë administrative të Tiranës.

Veliaj i ka kërkuar administratorit Bermeta që të marrë masat për aksionin e pastrimit të 4 shtatorit. Ai ka bërë të ditur se po bashkëpunohet edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë që në ndihmë të këtij aksioni të vijnë edhe mjetet e ushtrisë.

“Në aksion do të kemi edhe ushtrinë, për të na ndihmuar me inertet e rënda”, nënvizoi ai. Po ashtu, ai ka parë nga afër punën që kryhet nga fermerët e zonës, ndërsa është njohur nga specialistët e bujqësisë, lidhur me problematikat që shoqërojnë sot këtë sektor.

SHKARKO APP