Veliaj në Ndroq: Shqipëria ringrihet edhe më e fortë falë punës për rimëkëmbjen e vendit
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot nisjen e punimeve në Njësinë Administrative Ndroq, pjesë e procesit të rindërtimit. Veliaj u shpreh se Shqipëria ringrihet edhe më e fortë, falë punës dhe vullnetit të palëkundur për rimëkëmbjen e vendit.
“Para një viti, tërmeti na provoi sa të brishtë jemi; kur toka dridhet nën këmbët tona secili prej nesh ndihet i dobët, i pafuqishëm dhe i pamundur për t’i bërë ballë. Por, gjatë këtij viti provuam se, kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, kur ne i vëmë syrin punës, kur ne përveshim mëngët për të bërë këto projekte, dalim vërtetë shumë të fortë. Nëse para një viti u provua brishtësia jonë, besoj që, pas një viti provohet forca jonë, fuqia jonë transformuese, kur i vëmë qëllim vetes të ringrihemi më të fortë seç ishim kur u rrëzuam”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se një ndër shembujt e suksesit të këtij procesi në Tiranë është ringritja e kësaj lagjeje të re, paralelisht me rindërtimin e çdo shtëpie të dëmtuar një vit më parë.
“Lagjja e Re do të jetë 15 minuta nga Tirana dhe 15 minuta nga plazhi. Transferohen 74 familje, 350 banorë buzë rrugës kryesore. Është një mundësi e shkëlqyer, sidomos për fëmijët që të kenë akses në të gjitha institucionet dhe të kenë të njëjtin shans për të qenë të suksesshëm në jetë. Secili gëzon pronën, ama, transferohen aty ku secili e ka lakmuar të jetë, buzë rrugës, shumë afër qendrës së qytetit, afër plazhit nesër dhe akseve rrugore të Shqipërisë”, tha Veliaj, duke shtuar se, e njëjta gjë po ndodh edhe në Pezë, edhe në Vaqarr. “Lagjet e reja që po ndërtohen pranë rrugëve, jo vetëm do gëzojnë shtëpi që kanë vlerë më të madhe monetare, por do jenë shumë më të qëndrueshme dhe me mundësi ekonomike shumë herë më të mëdha”, shtoi ai.