Veliaj: Në nëntor mblidhet Unioni i Bashkive Shqiptare në rajon
Në vizitën e tij në Kosovë, Erion Veliaj u takua me homologun e Prishtinës. Gjatë konferencës së përbashkët me Shpend Ahmetin, kryebashkiaku Veliaj tha se në nëntor do të mblidhet në Tiranë Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon.
Dy kryebashkiaktët premtuan se Tirana dhe Prishtina do të rrisin bashkëpunimin mes tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy kryeqyteteve shqiptare, por edhe për të mundësuar një organizim më të mirë të të gjitha bashkive që drejtohen nga shqiptarët në rajonin e Ballkanit.
“Së bashku me Shpendin kemi marrë vendimin për ta konkretizuar nismën për një union të bashkive kryesore shqiptare në rajon. Fundjavën përpara Ditës së Pavarësisë, në datën 26 dhe 27 nëntor, do të mblidhemi në Tiranë, së bashku me kryetarin e komunës së Tetovës, Preshevës dhe Ulqinit. Do të jetë një privilegj t’i mirëpresim në Tiranë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Besoj se edhe në Ditën e Pavarësisë nuk na lipset shumë turbo-folku i nacionalizmës se sa na duhet qasje konkrete se si shqiptarët mund të jetojnë më mirë, si mund të shkojnë në shkolla më të mira, si mund të shkojnë në çerdhe, në kopshte më të mira, si mund ta kenë infrastrukturën më të mirë, si të kenë transport publik më të mirë, qytete më të pastra dhe besoj që kjo platformë është një bashkim praktik dhe jo bashkim emocional dhe retorik”, u shpreh Veliaj.
Kurse kryebashkiaku i Prishtinës tha se Tirana dhe Prishtina të jenë shembuj të reformave të rëndësishme të ndërmarra nga bashkitë respektive.
“Tirana është më e madhe se Prishtina, por problemet i kemi të ngjashme, prandaj edhe kemi diskutuar për projekte të përbashkëta, shkëmbime të përvojave tona, dhe besoj se në këto dy ditë do të konkretizojmë disa nga këto plane. Shfrytëzoj rastin ta përgëzoj për punën dhe ndryshimet që po ndodhin në Tiranë dhe besoj se edhe Tirana, edhe Prishtina, por edhe qytete të tjera shqiptare, të jenë shembuj të reformës së mirëfilltë, qofshin ato në transportin publik, në parqe, në çerdhe, në gjëra të cilat kanë ndikim në jetën e përditshme të njerëzve”, u shpreh Ahmeti.
KOHA JONË SONDAZH

