Veliaj në Petrelë: Do lirojmë territorin e kalasë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot administratorin e Petrelës, Sokol Kupi.

Gjatë prezantimit, kryebashkiaku Veliaj e vuri theksin në promovimin dhe zhvillimin e ideve kreative për zonën për të sjellë më shumë vëmendje në Petrelë. Por, nga ana tjetër, ai tha se për Bashkinë e Tiranës është shumë e rëndësishme që të ketë nën kontroll asetet e saj publike, turistike dhe kulturore.

“Ne Petrelë do të fillojmë me lirimin e territorit të Kalasë. Nuk mund të kemi privatizim dhe kafeneizim të aseteve publike dhe monumenteve të kulturës. Kalaja e Petrelës është monument kulture dhe nuk mund të vazhdojë të jetë përjetësisht kafja e ish – kryetarit të Komunës”, u shpreh sot Veliaj. Ai shtoi se Bashkia do duhet t’í kthejë komunitetit mbrapsht pronat publike.

“Nëse nuk lirojmë dot Kalanë e Petrelës, është e kotë të përpiqemi të lirojmë trotuaret e Tiranës. Petrela dhe zonat përreth saj kane një potencial fantastik për turizmin”, deklaroi ai. Veliaj shtoi se për promovimin e zonës bashkia do të organizojë festën e fshatit, panaire për produktet bujqësore, merkatot e fermerëve, për të promovuar më shumë agro­turizmin, për t’u lidhur me zyrën tonë turistike dhe për ta futur Petrelën si një ndër itineraret e shumë turistëve që vijnë në Tiranë.

“Nuk shoh asnjë arsye se pse në Petrelë apo në fshatra të tjerë, ne do të rikthejmë traditat që kthehen në sebepe, pse njerëzit duhet të vijnë, pse njerëzit duhet të kalojnë kohën në fshat”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Një prej porosive të tij për administratorin e ri të Petrelës është bërja e një inventari për të gjithë nevojat që kjo zonë ka për investime dhe më pas do të pyetet komuniteti për nevojat prioritare.

SHKARKO APP