Veliaj: Një tjetër lagje me imazh të ri në Tiranë
Një tjetër bllok i rikualifikuar banimi në rrugën “Fadil Rada”, Njësia Administrative Nr. 2, i shtohet Tiranës.
Tetë mijë banorë pranë zonës që njihet si ish ATSH-ja, tashmë kanë ambiente çlodhëse, lulishte, një kënd lojërash për fëmijë dhe transformim të plotë të infrastrukturës rrugore e nëntokësore.
Ky bllok banimi është pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës për transformimin e rreth 50 lagjeve të qytetit.
Pasi inspektoi punën e kryer nga Ndërmarrja nr. 2 e Qytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu falenderimin e tij për punonjësit e bashkisë, të cilët e përfunduan projektin vetëm në 8 javë punë.
“Faleminderit punëtorve tanë duarartë, të cilët në një kohë rekord e kthyen këtë zonë, nga një kazan i madh mbeturinash e balte, m’u në mes të Tiranës, në një lagje që dallon si dita me natën nga çfarë ishte më parë. Ky është një nga investimet që bashkia e ka bërë vetëm me fuqinë e vet punëtore, çka tregon se më në fund e kemi kthyer besimin në institucionet publike”, tha Veliaj.
Pas dy muajsh punë, në këtë zonë u mundësua lirimi i hapësirave publike të uzurpuara në mënyrë të paligjshme, u kryen ndërhyrje në infrastrukturën e nëndheshme, përfshi kanalizimet dhe vendosjen e rrjetit të internetit e telefonisë.
Gjithashtu, u bë sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut, si dhe u ndërtuan dhe u riparuan rrugët dhe trotuaret.
Në zbatim të projektit të rikualifikimit urban u mundësua edhe krijimi i hapësirave publike, shtimi i gjelbërimit në zonë, si dhe krijimi i dy lulishteve.




KOHA JONË SONDAZH

