Veliaj: Paketa ushqimore në shtëpi për të moshuarit e qendrave sociale; po dezinfektojmë hapësirat publike

Për të gjithë ata që janë në pamundësi ekonomike dhe janë trajtuar nëpër qendrat sociale me ushqim, Bashkia e Tiranës po ua çon paketën ushqimore në banesën e tyre. Në një intervistë për Report TV, Veliaj theksoi se bashkia po bën shpërndarjen e ushqimit nëpër shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.

“Ne kemi kaluar në një regjim, ndryshe nga kur e ofronim vaktin në qendrat sociale. Tani shkojmë ne tek njerëzit. Kemi shpërndarje që respekton rregullat e higjienës. Po bëjmë shpërndarjen e ushqimit në shtëpi. I gjithë gatimi i mensave i shkon si paketë ushqimore këtyre familjeve. Janë njerëz që sistematikisht janë trajtuar me ushqim”, tha ai.

Kreu I Bashkisë nënvizoi se paralelisht po vijon puna dhe për dezinfektimin e hapësirave publike, ndërsa bëri të ditur se të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet do të dezinfektohen një ditë para rifillimit të mësimit.
“Nëse shkollat kopshtet dhe çerdhet janë mbyllur, ato do të dezinfektohen një ditë para se të hapen. Fokusi është vënë tek zonat publike në përdorim, shkallët, ashensorët etj. Ashensorët dhe ambientet publike në pallate janë marrë përsipër nga administratorët e pallateve, ndërsa aty ku nuk ka dezinfektimin e bën bashkia e Tiranës. Po ashtu koshat e mbeturinave pastrohen 5 herë në ditë. Që koshat të kenë mundësi të pastrohen me eficencë, lipset që qytetarët t’i ngjeshin mbeturinat për të zënë sa më pak vend”, tha Veliaj.

SHKARKO APP